Aparatura per kontrolllin e shenjës së gishtit në dokumentet noteriale, pajisen 20 zyra

sistemi-i-notereve

Projekti i pajisjes së zyrave noteriale me aparaturën që kontrollon shenjat e gishtërinjve ka nisur aplikimin, duke filluar nga Tirana. Më herët ishte njoftuar se zyrat noteriale në të gjithë vendin duhet të pajiseshin brenda këtij viti me aparatin, i cili do të mundësojë check-imin e shenjës së gishtit në dokumentet noteriale. Mësohet se ky shërbim i ri ka nisur në fillim të qershorit, ndërsa deri këto orë njoftohet se janë pajisur 20 zyrat e para në Tiranë. Njëri prej përfaqësuesve të noterëve, nënkryetari i Dhomës së Noterëve, Fatmir Lacaj, shprehet ky element sigurie do të jetë edhe një ndihmë për vetë noterët. Ai thotë se dixhitalizimi i veprimtarisë noteriale jep garanci absolute për dokumentacionin që kryhet në zyrat noteriale, por bën të mundur edhe që të mos ketë mashtrime. Shqipëria është një nga vendet e rralla në Europë që do të ofrojë shërbimin e ‘gishtit dixhital’. Më saktësisht, vetëm Kolumbia është duke e aplikuar këtë metodë, e cila ka në thelb praktikën që cilido që do të kryejë shërbime te noteri, për të vërtetuar praninë e tij do të lërë shenjat e gishtërinjve. Mes të tjerave Lacaj thotë se “gjurma e gishtit do të qëndrojë e rezervuar në ‘Aleat’ dhe për të gjithë kohën sa herë që mund të kërkohet do të bëhet verifikimi nëse personi ka qenë ditën e caktuar dhe ka nënshkruar”. Pajisja, e cila do të sigurohet nga kompania “Aleat”, që merret me prodhimin e pasaportave, kushton rreth 20 mijë lekë. Por ajo do të ketë një kosto të përvitshme mirëmbajtjeje. Pas regjistrit dixhital të noterëve dhe regjistrit të testamenteve, ky është një tjetër shërbim që u ofrohet qytetarëve për të qenë sa më të sigurt në zyrat noteriale. Lacaj shton se “qytetari nuk do të ketë asnjë kosto. Të gjitha kostot do të përballohen nga zyrat noteriale”. Ky projekt është prezantuar në fillim të këtij muaji nga ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani. Ai theksoi se “shenja e gishtit dhe prania e personit te zyra e noterit është e regjistruar njëherë e mirë në Regjistrin Kombëtar të Noterisë, që gjendet këtu në Ministrinë e Drejtësisë. Tashmë prokurorët e shtetit nuk do të kenë nevojë të harxhojnë kohë, të shkruajnë letra pafund për të kërkuar prova dhe gjurmë, por do ta kenë të gatshme, sepse gjurma gjendet e ruajtur në database e Ministrisë së Drejtësisë”. Kreu i drejtësisë paralajmëroi edhe një tjetër shërbim që do t’u ofrohet zyrave noteriale, siç janë divorcet, për të shmangur mbingarkesën e gjykatës me çështje të tilla. Në këtë fillimvit, noterët aplikuan një tjetër shërbim – risi. Nga data 25 janar, 27 shërbime që kryheshin në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, po kryhen te zyrat noteriale të Tiranës, si aplikuesit e parë të këtij projekti.

 

Pin It