Dyndja drejt plazheve, çiklizmi dhe aksidentet shkaktojnë bllokim rrugësh

021020141018592511210_2(1)

Në tri zona të ndryshme të vendit pati bllokime masive të qarkullimit rrugor, për shkaqe që varen nga sezoni turistik, aksidentet dhe nga dëshira e strukturave shtetërore “për të mos ua prishur qejfin çiklistëve”. Kështu, nisja e sezonit turistik ka rikthyer radhët kilometrike në Shëngjin, kryesisht përgjatë fundjavës. Ditën e djeshme, pushuesit si rezultat i përkeqësimit të motit, u dyndën në të njëjtën kohë për të lënë bregdetin dhe për të udhëtuar drejt shtëpive të tyre. Mësohet se për minuta me radhë është bllokuar rruga që lidh zonën bregdetare të Shëngjinit me superstradën, rruga e Kunes dhe akset e brendshme. Policia rrugore është gjetur e papërgatitur përballë fluksit të madh të automjeteve. Autostrada Tiranë–Durrës është përballur dje me një fluks mjaft të lartë automjetesh, të cilat kanë krijuar radhë kilometrike. Qindra automjete kanë pritur me orë të tëra që të hyjnë në qytetin e Durrësit, duke qenë se në fundjavë ata kanë shfrytëzuar bregdetin për plazh. Ndonëse autoritetet e policisë rrugore janë përpjekur që të menaxhojnë këtë situatë, ata e kanë pasur të vështirë pasi dyndja drejt Durrësit këtë të diel ka qenë tej çdo parashikimi. Nga ana tjetër, mësohet se përplasja e 8 automjeteve në autostradën e Tiranës ka ndikuar në këtë situatë pothuajse kaotike në rrugë. Por edhe këtë të shtunë ka pasur radhë të gjata në rrugët që lidhin Tiranën me plazhet më të afërta, si ato të Durrësit, etj. Mjaft ankesa ka pasur nga qytetarët për sa i përket menaxhimit të situatës nga policia. Ditën e djeshme, pa asnjë paralajmërim paraprak, për të dytën ditë radhazi, Policia Rrugore e Tiranës, ka bllokuar hyrjen e Unazës së Re, në drejtim të kryeqytetit. Sërish shkak kanë gjetur pikënisjen e një gare çiklistike. Dhjetëra makina janë detyruar të futen në një rrugë plot gropa e pluhur. Policia Rrugore ka detyruar një autoambulancë të futet në një rrugë plot me makina dhe me trafik të rënduar. Bllokimi i rrugëve dhe arterieve të rëndësishme të qarkullimit në hyrje dhe brenda kryeqytetit, është kthyer tashmë në një gjë normale, ku si autoritetet vendore, ashtu dhe Policia Rrugore, nuk pyesin më për qytetarët dhe problemet apo nevojat e tyre për qarkullim normal. Edhe ditën e kthimit të kombëtares shqiptare të futbollit nga Franca u shkaktua një situatë kaotike në rrugë.

Pin It