Arkivat e Shqipërisë dhe Bullgarisë nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e Shqipërisë dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave e Bullgarisë kanë nënshkruar ditët e fundit një marrëveshje bashkëpunimi.

Sipas njoftimit për shtyp të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, marrëveshja u nënshkrua në Bullgari, gjatë vizitës në 21-23 mars të një delegacioni të kësaj drejtorie, të kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm Ardit Bido.

Marrëveshja u nënshkrua në prani të Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Bullgari, Qirjako Kureta.

Kjo marrëveshje parashikon kryesisht shkëmbimin e përvojave dhe njohurive arkivore profesionale përkatëse, shkëmbimin e dokumenteve arkivorë, përgatitjen e botimeve dhe ekspozitave të përbashkëta të dokumenteve dhe materialeve arkivorë të të dy institucioneve.

E gjithë vizita u karakterizua nga fryma e bashkëpunimit në arritjen e objektivave të përbashkëta për zbatimin e marrëveshjes në praktikë, për të cilat u hodhën edhe disa propozime konkrete.

Pin It