Ata i përkisnin kohës së Ndritur…

Nuk ka një numër të saktë të sahabëve që patën nderin të takoheshin dhe të besonin në Profetësinë e Muhamedit a.s gjatë misionit të tij 23 vjeçar. Në lidhje me këtë çështje, nuk ka një numër të saktë të trashëguar nga koha e Profetit dhe e sahabëve. Kjo, sepse sahabët nuk kanë jetuar në një kohë kur kryeheshin studime periodike të popullisisë, prandaj ishte e pamundur t’i identifikoje ata individualisht sepse jetonin në një shoqëri të integruar ku kishte edhe të krishterë, hebrenj dhe besimtarë të feve të tjera. Sidoqoftë, në disa burime ka vlerësime të përgjithshme që thonë se numri i tyre arrinte në 60.000-70.000, ndërsa numri i njerëzve që ishin të pranishëm gjatë hutbes së lamtumirës, në haxhin e fundit që Profeti a.s bëri përpara vdekjes, i tejkalonte 100.000.

Por vepra e Ibn Haxhar al-Asklanit (852/1448), më e pasura dhe më voluminozja e shkruar mbi këtë temë, përmban biografitë e 11.000 sahabëve. Numri sigurisht që pakësohet, nëse konsiderojmë që disa nga emrat përsëriten dhe disa të tjerë janë përmendur thjesht për të dëshmuar se nuk ishin sahabë. Si rrjedhim, është më e saktë të themi se numri total i sahabëve të identifikueshëm është rreth 10.000.

Sahabët, të konsideruar si gjenerata e dalluar brenda umetit, ndahen në disa nivele në përputhje me datën e konvertimit të tyre në Islam. Klasifikimi më  i përhapur është ky që ofrohet më poshtë, dhe që përbëhet nga 12 grupe:

  1. Të parët që pranuan Islamin në Mekë; p.sh, 10 të përgëzuarit me xhenet, Hatixhja dhe Bilal el-Habashi.
  2. Sahabët e Dar al-Naduasë që u bënë muslimanë pas konvertimit të Umerit në Islam.
  3. 11 meshkujt dhe 4 femrat emigrante që iu bashkuan emigrimit të parë në Habeshe (Abisini) në vitin e pestë të profetësisë dhe pothuajse 83 sahabët që ndërmorrën emigrimin e dytë në Habeshe.
  4. Pjesëmarrësit e besëlidhjes së parë të Akabesë.
  5. Ata që u bënë muslimanë pas besëlidhjes së parë të Akabesë dhe morën pjesë në besëlidhjen e dytë të Akabesë.
  6. Muhaxhirunët (emigrantët) që shkuan në Medinë ndërsa Profeti a.s ishte akoma në Kuba.
  7. Sahabët që morën pjesë në betejën e Bedrit.
  8. Ata që emigruan në periudhën mes betejës së Bedrit dhe traktatit të Hudejbijes.
  9. Ata që i dhanë besën Profetit a.s nën pemë.
  10. Ata që emigruan në periudhën mes traktatit të Hudejbijes dhe çlirimit të Mekës.
  11. Ata që u konvertuan në Islam gjatë çlirimit të Mekës.
  12. Fëmijët që panë të Dërguarin e Allahut gjatë çlirimit të Mekës dhe haxhit të lamtumirës.

Burimi: profetimuhamed.info

Pin It