Atëherë do të kujtohet, sa njeri je!

Nëse ndonjë ditë ndjen se jeta nuk durohet më, se bota tashmë i ngjan një qelie e cila të bllokon frymëmarrjen, se kalimi i çdo ore nuk është gjë tjetër veçse dhimbje shtesë, se çdo gjë është bërë e dhimbshme… Pikturo një buzëqeshje mbi buzët dhe fytyrën tënde, le të jetë e sforcuar, s’prish punë. Lësho dhe një lot gëzimi bashkë me buzëqeshjen.

Në të preftë në besë miku, e në të zëntë rrugën armiku, nëse humbet gjithçka të bukur dhe të shemben para syve ambiciet… Mos u arratis me veten tënde drejt errësirës! Jo, ktheju dritës, përqafoji damarët e tu të hapur dhe plagën të cilës i lipsesh si kurrë më parë. Po, bëji ta ndjejnë prezencën tënde. Madje, ndjeje dhe ti prezencën e vetes tënde!

Mëso artin e tolerancës dhe jeto me logjikën e gjakftohtësisë. Mos e shndërro zemrën në një magazinë urrejtje, mllefi, neverie, smire dhe errësire! Ata që të rrethojnë, mos i shih veçse me buzëqeshje e cila kapërcen çdo largësi dhe çdo barrierë konflikti! Buzëqeshu!

Mbaj në zemër një penë, që do të pikturosh panoramën me të cilën do të hysh në memorien e të tjerëve! Asnjëherë mos lejo që zemra jote të mbajë plumbin, me të cilin ekzekuton bukurinë përreth! I mjerë ti nëse mendon se urrejtja të bën më të fortë, se neveria të bën më të zgjuar, se ashpërsia dhe ngurtësia të bëjnë njeri të respektuar..

Mëso të buzëqeshësh, madje dhe të qeshësh me ata që të rrethojnë, bëhu pjesë e dhimbjeve dhe vuajtjeve të tyre! Jeto me ta, bashkëjeto dhe bëjua jetën më të bukur! Mësohu ti përfshish të gjithë personat që kalojnë nga stacioni yt! Mos e humb toruan nëse humbet diçka tënden! Gjithmonë kije parasysh se gjithçka është shkruar në pllakën e caktimit hyjnor, para se të jetë njeri mes miliona syresh!

Nëse zemërohet miku yt me ty, shko takoje, shkundja dorën dhe fali një përqafim! Nëse zemërohesh me mikun tënd, hapja krahët dhe zemrën! Nëse humbet diçka, mbaj mend se ke fituar shumë të tjera! Nëse të humbet një takim, sill ndërmend se do të arrish një tjetër! Sado e hidhur të jetë dhimbja dhe sado e mistershme qoftë ngjarja e radhës, hapi të dy sytë për ëndrrat dhe ambiciet! Nesër është një ditë e re. Nesër edhe ti do të jesh një person i ri.

Mos u orvat të ulesh dhe të bësh për të qeshur të tjerët, duke ironizuar miletin. Në zemrat e tyre mund të hapësh plagë, të cilat edhe pse ti nuk i ndjen, mileti jeton me to deri në ditën e tyre të fundit. E çfarë është më e shëmtuar në këtë botë, sesa të flesh e të flejnë, sakaq një nga miqtë e tu lëngon nga plaga që i shkaktove dhe fjalët që i the?!

Bëhu zemër dhe shpirt, që ta kalosh sa më lehtë këtë jetë, derisa të vijë dita e largimit për jetën tjetër! Vetëm kështu do të gjesh njerëz të cilët do të të qajnë me zemër, jo thjesht se kështu e kërkon zakoni e tradita. Ku i dihet kur mund të jetë ora e largimit! Mund të jetë më e afërt se një gotë uji që duam të pimë, ndoshta, edhe më e afërt se një frymëmarrje që duam të marrim. Sigurisht, do të shohësh që jeta mund të bëhet e bukur, edhe në kulmin e dhimbjes dhe vuajtjeve… Atëherë do të ndjesh buzëqeshjen që buron nga thellësitë e tua… Ajo del nga vatra e dëshpërimit dhe dhimbjes, del nga zemra dhe shpirti yt.

Atëherë do të kujtohet, sa njeri je!

Burimi: profetimuhamed.info

Pin It