Panairi i Mobilierisë, 15 milionë euro eksporte në vit dhe mbi 50 000 të punësuar

Rreth 15 milionë euro në vit eksporte, 1900 biznese prodhuese me mbi 50 000 të punësuar, këto janë disa nga të dhënat e Shoqatës se Prodhuesve të mobilierisë, e cila është krijuar në Tetor të vitit 2011 si një organizatë vullnetare në mbrojtje të interesave të anëtarëve të saj dhe industrisë së përpunimit të drurit në vend.

Në hapjen e Panairit të Mobilierisë “Shqipëria 2018”, krahas bizneseve elitare vendase, Kosova, rajoni dhe bota të afirmuara në punimin e drurit, e pranishme ishte dhe Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato.

Ky panair ka mbledhur së bashku, kompani e sipërmarrës shqiptarë që kanë investuar fuqishëm në këtë sektor, duke rritur cilësinë e prodhimeve ”Made in Albania” që konkurojnë sot importin dhe kanë arritur të sjellin në Shqipëri, përfaqësinë e brendeve më të mëdha ndërkombëtare në teknologji dhe aksesore nga fusha e mobilierisë.

Pjesëmarrësit vijnë nga rrethe të ndryshme e vendit, që përbëjnë bërthamën e prodhuesve të mobilierisë. Ndërsa marrin pjesë, tradicionalisht tashmë, bizneset nga Kosova që operojnë në këtë sektor, si dhe nga vende të tjera të botës./ATA/

Pin It