Avioni “Impulsi diellor” përfundoi xhiron e botës, e para në histori e kryer vetëm me energji diellore

2dc315ca05474259b779d0139fc5bf53

Avioni zbriti në Abu Dabi nga ku nisi udhëtimi epik rreth botës marsin e vitit të shkuar. Piloti Betrand Pikard drejtoi mjetin fluturues në etapën e fundit të udhëtimit nga Kajro drejt Abu Dabit. Ai ndërronte vendin e kapitenit të avionit me kolegun dhe bashkëkombësin e tij zviceran Andre Borschberg, në misionin për të promovuar përdorimin e energjive të rinovueshme.

“E ardhmja është e pastër. E ardhmja je ti. E ardhmja është tani. Le ta çojmë më tej”, deklaroi Pikard kur mbërriti në Abu Dabi.

Udhëtimi epik që ai dhe kolegu i tij kryen mbuloi 42 000 km dhe u shtri mbi katër kontinente, tre dete dhe dy oqeane.

Etapa më e gjatë e këtij udhëtimi, 8924 km, ishte ajo nga Nagoja në Japoni deri në Hauai. Pas kësaj etape që zgjati 118 orë, Pikard theu rekordin botëror për udhëtimin më të gjatë vetëm.

Avioni “Impulsi diellor” udhëton me vetëm 70km/h, prandaj xhiroja rreth botës zgjati kaq shumë. Gjithsesi, ky rekord i Pikard ishte vetëm një prej 19 të tillëve që u thyen gjatë këtij udhëtimi epik.

Avioni “Impulsi solar” peshon sa një makinë, por ka një shtrirje krahësh të njëjtë me një boeing 747. Ai shfrytëzon 17 000 qeliza diellore për të marrë energjinë e diellit dhe për të fuqizuar motorët e tij elektrikë. Sigurisht që bëhet fjalë për një projekt eksperimental që për shkak të peshës së vogël dhe shpejtësisë së ulët ndikohet shumë nga kushtet e motit.

Kabina e tij është sa një kabinë telefonike publike dhe pilotët duhej të përdorin bombula oksigjeni për të marrë frymë në lartësi të mëdha, ndërsa nuk mund të flinin më gjatë se 20 minuta.

Pin It