Serbi, 150 emigrantë në grevë urie

1469462509serbiii

Rreth 150 emigrantë, shumica nga Afganistani e Pakistani kanë hyrë në grevë urie në një fushë serbe në kufi me Hungarinë me kërkesën që t’iu lejohet kalimi në Bashkimin Europian.

Grupi fillimisht numëronte 300 vetë, por u tkurr në gati gjysmën e tyre, është nisur nga Beogradi e ka udhëtuar përgjatë fundjavës drejt kufirit, ku do të vendosej më pas në një zonë diku tek 100 metra larg telave me gjemba të hungarezëve. Ata thonë se do ta refuzojnë ushqimin deri në hapjen e kufirit.

“Jemi në grevë urie, nuk kemi futur asgjë në gojë. Siç mund ta shihni ushqimi atje është, por asnjëri prej nesh nuk ha, vetëm pijmë lëngje e do të rrimë të ulur këtu”, shprehet një prej emigrantëve në grevë.

“Kriza e refugjatëve nuk është çështje që duhet zgjidhur nga një komb i vetëm. Është çështje globale dhe ne kërkojmë vëmendje”, thotë një tjetër emigrant.

E ndërsa emigrantët këmbëngulin se protesta e tyre do të jetë paqësore, ministri serb i çështjeve sociale, Aleksandar Vulin e bëri të qartë se autoritetet do të parandalojnë çdo përpjekje për trazira.

“I kemi siguruar akomodim e i kemi përmbushur të gjitha nevojat e tyre, por nuk do të tolerojmë asgjë që të rrezikojë rendin tone publik”, deklaroi ai gjatë vizitës së një kampi refugjatësh në zonë.

Muajin e kaluar, Hungaria e kufizoi numrin e hyrjeve ditore në vetëm 30, duke shkaktuar një ngërç në Serbi. Policia nga ana tjetër i ka dhënë dorë të lirë të ktheje mbrapsht emigrantët e paligjshëm që ndalohen brenda 8 kilometrave nga kufiri i saj me Serbinë.

Pin It