Babai i sociologjisë dhe i shkencave të historisë, Ibn Halduni

Ibn Halduni në përgjithësi njihet si themeluesi dhe babai i sociologjisë dhe i shkencave të historisë. Ai më së miri njihet për veprën e tij të famshme “Mukaddimah”, apo siç quhet në perëndim “Prologomena”. Abd el-Rrahman Ibn Muhamed, i njohur si Ibn Khaldun, lindi më 1332 në Tuniz në një familje me pozitë të lartë të migruar nga Sevilja e Spanjës myslimane. Paraardhësit e tij ishin arabë jemenitë të cilët u vendosën në Spanjë që vitet e para të qeverisjes myslimane në shekullin e VIII-të.

Gjatë viteve të tij të para të edukimit, Ibn Halduni fitoi eksperiencë nga pjesëmarrja aktive e familjes së tij në jetën intelektuale dhe në një farë mase edhe politike të qytetit. Në shtëpinë e tij ishin të shpeshta vizitat nga udheheqësit intelektual dhe politikë të shteteve islame të perëndimit (Afrika e jugut dhe Spanja), shumica e të cilëve gjetën strehim aty. Ibn Halduni u edukua në Tuniz dhe Fiz ku dhe studioi Kur’anin, traditën profetike dhe fushat e tjera të shkencave Islame si teologjinë dialektike dhe sheriatin. Gjithashtu studioi letërsinë arabe, filozofinë, matematikën dhe astronominë. Ende në moshë adoleshente ai hyri në shërbim të udhëheqësit egjiptian Sulltan Berkuk-ut.

Ibn Halduni kaloi një jetë aktive në politikë para se të fillonte të shkruante kryeveprën e tij të famshme për histori. Ai punoi për udhëheqësit në Tuniz dhe Fiz (tani Marok), Granadë (Në Spanjën myslimane si dhe në Biaja (në Afrikën e Jugut). Në vitin 1375, Ibn Halduni kaloi në Granadë (Spanjën Myslimane) i lodhur dhe i zemëruar vetëm për të ikur nga trazirat në Afrikën e Jugut. Fatkeqësisht, për shkak të së kaluarës së tij, udhëheqësi i Granadës e përzuri atë. Më pas ai u kthye në Alegjeri për të kaluar katër vite në një fshat të vogël me emrin Kalat ibn Salama. Po në këtë vend ai shkroi “Mukaddimah”, vëllimin e parë të historisë botërore që i siguroi atij vend të amshuar ndër historianët, sociologët dhe filozofët. Ende karriera e tij ishte e pa sigurtë për shkak të trazirave në Afrikën e Jugut. Përfundimisht u shpërngul në Egjipt ku edhe kaloi njëzet e pesë vitet e tij të fundit. Në Egjipt ai jetoi i qetë, me famë dhe respekt, i caktuar në postin e kryegjykatësit te shkollës Malikite. Ai ligjëroi gjithashtu për një periudhë kohore në universitetin El-Ez’her.

Ibn Halduni u detyrua të lëvizë nga një vend në një tjetër, nganjëherë me vullnetin e tij, por më shpesh i detyruar nga udhëheqësit despotik. Kjo e bëri atë të përfitojë dhe të mësojë shumë si rezultat i takimeve të shumta me udhëheqës, ambasadorë, politikanë dhe dijetarë nga Afrika e Jugut, Spanja myslimane, Egjipti dhe vendet e tjera të botës Islame.

Ajo që më së shumti ndikoi në famën e Ibn Haldunit është libri i tij “Mukaddimah”, kryevepër në literaturën e filozofisë së historisë dhe sociologjisë. Tema qendrore e kësaj vepre gjigante është identifikimi i fakteve psikologjike, ekonomike, rrethuese dhe sociale të cilat ndikojnë në përparimin e civilizimit njerëzor si dhe në rrjedhën e historisë. Ai analizoi dinamikën e marrëdhënieve grupore dhe shpjegoi se si ndjenjat e grupit (el-Asabijah) shkaktojnë ngritjen e një qytetërimi dhe fuqije politike të re. Ai identifikoi lëvizjen pothuajse ritmike (të përsëritur) në ngritjen dhe rënien e qytetërimit njerëzor dhe analizoi shkaqet që ndikojnë në këtë.

Mendimet revolucionare të Ibn Haldunit tërhoqën vëmendjen e dijetarëve myslimanë si dhe atyre perëndimorë. Në studimet e tij në histori, ai ishte pioner në ndarjen e raporteve historike në dy kritere themelore: të arsyes dhe ligjeve sociale dhe fizike. Ai theksoi katër pikat bazë në studimin dhe analizimin e raporteve historike: 1. duke i lidhur ngjarjet njëra me tjetrën përmes shkakut dhe pasojës, 2. duke nxjerrë analogji mes të kaluarës dhe të tashmës, 3. duke marrë në konsideratë efektet e rrethanave dhe, 4. duke marrë në konsideratë efektet e kushteve ekonomike dhe të trashëguara.

Ibn Halduni është nismëtar i studimit kritik të historisë. Ai ofroi një studim analitik të qytetërimit njerëzor, fillimin e tij, faktorët ndikues të zhvillimit dhe shkaqet e rënies. Kështu, ai themeloi një shkencë të re; shkencën e zhvillimit të shoqërisë apo Sociologjinë, si e quajmë ne sot. Ibn Halduni shkruan: “Unë kam shkruar rreth historisë një libër në të cilin kam diskutuar shkaqet dhe pasojat e zhvillimit të shteteve dhe qytetërimeve, dhe për radhitjen e materialit në libër kam ndjekur një metodë jo familjare dhe e kam shkruar në mënyrë të çuditshme dhe inovative.” Duke zgjedhur këtë metodë të veçantë analize, ai themeloi njëkohësisht dy shkenca të reja: Historinë dhe Sociologjinë.

Ibn Halduni argumenton se historia është lëndë e ligjeve universale dhe citon kriterin për të vërtetën historike: “Rregulli për të dalluar të vërtetën nga jo e vërteta në histori bazohet në mundësinë apo pamundësinë e saj; domethënë, ne duhet të analizojmë shoqërinë njerëzore dhe të dallojmë karakteristikat esenciale dhe qenësore nga ato të rastësishme të cilat nuk duhet të merren në konsideratë, duke njohur më mirë ato që s’ka mundësi t’i përkasin asaj (shoqërisë). Nëse ne veprojmë kështu, atëherë kemi një metodë për të dalluar të vërtetën historike nga gabimet si mjet demonstrues që nuk lë dyshime. Kjo është pikë mbështetje e sigurtë me të cilën historianët mund të vërtetojnë atë që duan.”

Ibn Khalduni thoshte se religjioni luan rol të rëndësishëm në bashkimin e arabëve dhe sjelljen e progresit dhe zhvillimit të shoqërive të tyre. Ai theksoi se padrejtësia, despotizmi dhe tirania janë shenja të qarta të rënies së shtetit. Filozofia metafizike, thoshte ai, ka vetëm një përparësi e që është kthjellimi e mendjes. Ai pohon se njohuritë e botës metafizike në veçanti në çeshtjet fetare mund të nxjirren vetëm nga shpallja.

Ai ishte pionier në lëndën e edukimit. Presioni dhe përdorimi i forcës, thotë Ibn Halduni, janë armiq të mësimit dhe çojnë në përtaci dhe hipokrizi. Fakti që Ibn Halduni jetoi në fazën fillestare të rënies së qytetërimit mysliman, e detyroi që shumicën e njohurive t’i përmbledhë nga e kaluara. Ai kundërshtoi vrullshëm praktikat jo të shëndosha që krijonin mospërparim dhe ngecje të krijimtarisë tek dijetarët myslimanë.

Ibn Halduni thekson se fenomenet sociale dhe historike duhet t’i nënshtrohen analizës objektive dhe shkencore. Historianët kanë bërë gabime gjatë studimit të tyre të ndodhive historike për shkak të: 1. mosnjohjes së natyrës së qytetërimit dhe popullit, 2. anshmërisë dhe paragjykimeve dhe 3. të pranuarit verbërisht të raporteve të dhëna nga të tjerët.

Progresi dhe zhvillimi i vërtetë vjen me njohjen korrekte të historisë dhe njohuria e saktë mund të arritet vetëm duke ndjekur tri pikat që vijojnë: 1. Historiani kurrë nuk duhet të ketë paragjykime kundrejt askujt dhe asnjë ideje. 2. Duhet të shqyrtojë dhe konfirmojë çdo informacion të ofruar. Pra, duhet mësuar gjithçka rreth historianëve nga të cilët merret informacioni, besueshmërinë dhe moralin e tyre para se të pranohet informacioni si i saktë. 3. Nuk duhet që historia të kufizohet vetëm tek mësimi i politikës dhe informacioneve ushtarake si dhe lajmeve për udhëheqësit dhe qeveritë. Për studimin e historisë duhet të përfshihen të gjitha kushtet: shoqërore, religjioze si dhe ekonomike.

“Mukaddimah” gjatë jetës së Ibn Haldunit u njoh si vepër e rëndësishme. Në volumet e tjera rreth historisë botërore “Kitab el-Ibar” trajton historinë e arabëve, udhëheqësit bashkëkohorë myslimanë dhe evropianë, historinë e vjetër arabe, jehude, greke, romake, persiane, historinë islame, historinë e Egjiptit si dhe historinë e Afrikës së Jugut. Vëllimi i fundit trajton në përgjithësi ngjarjet gjatë jetës së tij dhe njihet me emrin “el-Tesrif”. Sa i përket librave të tjerë, edhe ata u shkruajtën nga perspektiva analitike ku dhe fillon tradita e re në artin e shkrimit, të shkruajturit e autobiografisë. Gjithashtu shkruajti edhe një libër në matematikë i cili nuk është ruajtur.

Influenca e Ibn Haldunit në lëndët e historisë, filozofisë së historisë, sociologjisë, shkencave politike dhe edukimit ka mbetur deri në ditët e sotme. Ai gjithashtu njihet si pionieri i artit të shkrimit të autobiografisë, rinovues në lëndën e edukatës dhe psikologjisë së edukatës si dhe në stilistikën e shkrimit arab. Librat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë, si në lindje ashtu edhe në perëndim.

Pin It