Bashkia ka lajme të mira: Mbikalim te “Shqiponja” e ribërje të aksit Kombinat – Plepa

Bashkia e Tiranës do të nisë një sërë investimesh të rëndësishme që kanë të bëjnë kryesisht me transportin dhe sistemimin e disa prej hyrjeve dhe akseve kryesore në qytet.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës duke folur gjatë emisionit “5 pyetje nga Babaramo” bëri të ditur se së shpejti do të nisë investimi në pjesën e Unazës nga “Pallati me Shigjeta” deri te “Shqiponja”, çka pritet të sjellë një lehtësim të ndjeshëm të lëvizjes se mjeteve në këtë aks.

Ai deklaroi gjithashtu se kanë nisur bisedimet me disa nga bankat ndërkombëtare për mundësinë e financimit dhe të ribërjes së aksit Kombinat – Plepa. “Kemi folur me disa banka zhvillimi ndërkombëtare për mundësinë e financimit të ribërjes të rrugës nga Kombinati në Plepa. Ajo është një zonë që ka shumë potencial, tani edhe industrial.

Shumë prej mini-punishteve, fabrikave me 200-300 punonjës kanë filluar transferimin në atë zonë. Kështu është planifikuar edhe në planin urbanistik. Rruga Kombinat –Plepa është një rrugë nacionale, ka ardhur nevoja që edhe shtresat të rishihen dhe ndoshta te kemi më shumë zgjerim. Jemi duke folur me FSHZH dhe ARRSH që të fillojmë edhe aty një investim”, u shpreh Veliaj.

Në zonën e Kombinatit është parashikuar edhe ndërtimi i një terminali të panaireve që do të rivitalizojë gjithë këtë zonë duke e kthyer në një nga poliqendrat e Tiranës moderne, ndërkohë që e njëjta gjë pritet të ndodhë edhe në Kinostudio.

Kreu i Bashkisë dha një tjetër lajm të mirë edhe sa i takon akseve të tjera hyrëse në Tiranë, të cilat jo vetëm do të lehtësojnë dhe do të rrisin qarkullimin e automjeteve që hyjnë e dalin nga Tirana, por njëkohësisht pritet që të japin një impuls tepër pozitiv edhe në ekonomi.

“Një tjetër hyrje është ajo e IKV në Kinostudio që sjell gjithë Malësinë e Tiranës, ku malësia e Dajtit, e Priskës ka atë akses. Kemi marrë sot një draft të parë të një hyrje që duam të organizojmë në Tufinë, që përfundon rruga e Arbrit. Aty po projektojmë që tani për terminal autobusësh dhe për verilindjen të paktën do jetë ajo hyrje e Tiranë”, tha ai.

 

 

Pin It