“Bëhu!” dhe ajo bëhet…

Çdonjëri pranon se një farë e bimës ngjallet kur të jetë futur në tokë dhe të ketë kaluar një interval jo të shkurtër kohor, por jo çdonjëri mund të pranojë se kur të jetë futur vetë në dhe (bashkë me farën e tij), mund të ringjallet për të përjetuar një realitet tjetër. Njeriu që beson më shumë në farën e një lloji me zhvillim pakrahasueshmërisht më të ulët se zhvillimi i tij, religjonin mund ta përceptojë ose si sëmundje, ose si mundësi për të përfituar privilegj shoqëror dhe material. S’do mend se edhe sëmundja, edhe dëshira për privilegje janë të pranishme tek njerëzit që identifikohen me religjonin, ashtu siç nuk do mend se të njëjtat zënë vend edhe tek njerëzit që nuk identifikohen me të njëjtin.

“Bëhu!” është fjala nga e cila u shfaq ekzistenca dhe gjalloi njeriu i parë i cili, ngaqë nuk kishte nënë, nuk e dimë nëse erdhi në botë me kërthizë apo pa të. Por, sido që të ketë ardhur, ai prapë ishte qenie që e kishte merituar nderimin jo për arsye të përbërjes së trupit nga uji e dheu, por se në qenien e tij fryu “Ai që ka krijuar qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë, teksa Froni i Tij ndodhej mbi ujë…” (Surja Hud, 7).

 

Pin It