Besimtarët myslimanë festojnë Kurban Bajramin

Besimtarët myslimanë festojnë sot festën e Kurban Bajramit. Ceremonia e Bajramit u organizua në Sheshin Skënderbej, ku mijëra besimtarë myslimanë kanë falur namazin e Kurban Bajramit dhe qindra mijëra të tjerë kanë festuar dhe kryer faljen në sheshet e çdo qyteti të vendit.

Festimet e Kurban Bajramit kanë filluar që në orët e para të mëngjesit me namazin e sabahut

Para faljes së namazit të Kurban Bajramit, besimtarët ndoqën një program të shkurtër.

Programi ka filluar me këndimin e një pjese nga Kur’ani Famëlartë, të cilën e përcolli zv/myftiu I Tiranës, z. Bilal Teqja.

Ceremonia ka vazhduar me fjalën përshëndetëse të kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Skender Bruçaj, i cili uroi besimtarët myslimanë dhe gjithë shqiptarët kudo që ndodhen për festën e Kurban Bajramit.

“Në këto ditë të begata të gjendemi më afër njerëzve në nevojë, duke forcuar lidhjet farefisnore, duke falur dhe mirëkuptuar gabimet e njëri-tjetrit, duke respektuar më shumë të moshuarit, duke gëzuar me përkëdhelje dhe dhurata fëmijet tanë, duke kontribuar për  të mirën tonë të përbashkët, sepse vetëm duke ndjekur këtë rrugë mund ta fitojmë kënaqësinë e Zotit. Besimtari i cili ka shijuar ëmbëlsinë e besimit është zemërgjerë, lutet dhe punon për të mirën e të tjerëve, dhe ndan me të tjerët mirësitë dhe begatitë që i ka dhuruar krijuesi i gjithësisë. Kurbani është një shenjë falënderimi ndaj Allahut (xh.sh), i Cili na ka dhënë mirësi të pa numërta. Prandaj le të lutemi në këto ditë të begata ky mbizotëron përkujdesja hyjnore që dashuria, mëshira, bujaria, dhe sinqeriteti të mbizotërojë në zemrat e njerëzve, në mënyrë që shoqëria jonë të mos përjetojë tragjedi dhe vuajtje”, u shpreh Bruçaj.

Ndërsa nënkryetari i KMSH-së z. Bujar Spahiu mbajti ligjëratën para faljes së namazit të Kurban Bajramit.

“Sot është Kurban Bajrami, festa që simbolizon, sakrificën sublime të njeriut të përsosur, dhe shënjon kulmin e bindjes, besnikërisë dhe dashurisë ndaj Allahut të plotfuqishëm. Kuptimi i kurbanit dhe sakrificës në Islam, nuk qëndron në derdhjen e gjakut të një kafshe, por në aktin e bindjes” tha ndër të tjera z. Spahiu.

Falja e Namazit të Kurban Bajramit u drejtua nga nënkryetari i Komunitetit Mysliman z. Bujar Spahiu, më pas besimtarët dëgjuan hytben e mbajtur nga Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra.

Ndërsa Drejtori i Kulturës në KMSH. z. Dorian Demetja, i cili moderoi programin, u shpreh se Kurban Bajrami është festa e mirësisë, bashkëpunimit, vëllazërimit dhe e mirënjohjes. Kurban Bajrami është një festë për të gjithë, prandaj ti ndajmë të mirat material me të afërmit dhe nevojtarët.

Në fund, besimtarët shkëmbyen mes tyre urimet më të përzemërta për këtë festë të dashurisë dhe sakrificës. Mes urimesh dhe lutjesh besimtarët u larguan nga sheshi për të kryer obligimin e bërjes së kurbanit, si dhe për të kryer vizita te të afërmit e tyre.

Kurban Bajrami është festa që simbolizon, midis të tjerash, sakrificën sublime të babait të profetëve, Ibrahimit a.s. Me emrin e kësaj feste janë të lidhura ngjarje madhore që kanë ndryshuar rrjedhën e historisë, si: rindërtimi i Qabes, haxhi, emërtimi “mysliman”, etj. Kurbani paraqet materializimin e nijetit dhe të gatishmërisë, që në emër të Allahut të flijohet. Përveç aspektit shpirtëror të kurbanit, është i rëndësishëm edhe aspekti social i tij, ndihma për atë që nuk ka, në mënyrë që të gjithë së bashku të festojmë këtë festë islame.

     

 

 

Pin It