Bukuria e buzëqeshjes

Buzëqeshja është një lloj bukurie e jashtëzakonshme. Ajo gjithashtu paraqet gjuhën universale njerëzore, meqë nëse në TV shohim një korean, gjerman, senegalez, amerikan apo dikë tjetër duke buzëqeshur, ne mësojmë se ai (ajo) është i gëzuar dhe ndjejmë ngazëllim, kënaqësi dhe afërsinë mes njerëzve që paraqet ajo buzëqeshje. Ajo pamje është e bukur, për dallim nga pamja e depresionit dhe trishtimit. Për këtë shkak shprehja e buzëqeshjes është një ndër gjërat më të rëndësishme të cilat duhet t’i përvetësojnë dhe mësojnë menaxherët e marrëdhënieve me publikun. Linguistët thonë që buzëqeshja është shprehje e kënaqësisë.

Ndaj buzëqeshja është një formë bukurie. Dihet që i Dërguari a.s, kohën më të madhe kishte buzën në gaz. Transmetohet se Xheriri r.a ka thënë: “I Dërguari kurrë nuk refuzoi të më shikojë pasi pranova Islamin. Sa herë që më takonte, më priste me buzëqeshje.” (Buhariu)

Buzëqeshja jo vetëm që ishte vijë karakteristike e të Dërguarit a.s, por ai e promovonte buzëqeshjen dhe i inkurajonte të tjerët të buzëqeshin. Transmetohet se ka thënë: “Buzëqeshja jote në fytyrën e vëllait tënd është mirësi (sadaka).” (Tirmidhiu) Gjithashtu transmetohet se ka thënë: “Mos e nënçmoni asnjë vepër të mirë, madje sikur ta takoni vëllain tuaj me fytyrë të gëzuar dhe qeshur.” (Muslim)

Pin It