Bukuria e zbritjes së Kuranit

Kur flitet për Kuranin, fjalën e Allahut të Madhëruar, nuk po flasim për një libër dogmë apo fe të paraqitur si dogmë. Kemi të bëjmë me një manual jetese për të gjitha kohërat dhe për gjithë njerëzimin. Duke qenë një rregullator i jetës, ky libër nuk zbriti menjëherë, por për 23 vite radhazi. Njerëzve të asaj kohe nuk u vinte informacioni menjëherë ,ashtu pa kuptuar, por u vinte sipas rrethanave në mënyrë sa më të kuptueshme. Muhamedi a.s e nisi predikimin me tehud (njësimi i Zotit, dëshmia se Ai është Një), jo me ndalesa e urdhëresa. Pasi fillimisht të gjithë duhet ta njohin Zotin, pastaj të njohin urdhëresat e ndalesat e Tij. Zbritja graduale e Kuranit, përveç të tjerave, na tregon se njeriut i duhet lënë kohë për të kuptuar e medituar Islamin. Një profesori im i nderuar gjithmonë thoshte: “Kam frikë nga ata që e kanë marrë fenë për 2 javë”. Sa herë e kujtoj këtë shprehje aq më shumë bindem për vërtetësinë e saj, sepse është e pamundur që Islamin ta kuptosh për një periudhë të shkurtër, kur ai zbriti për 23 vite.

Këtu qëndron dhe bukuria e zbritjes së Kuranit në mënyrë të vazhdueshme, njeriu duhet të njohë Zotin, pastaj fillon ta zbatojë fjalën e Tij. Ajetet sfiduese në Kuran. Mrekullia e Kuranit. Për secilin që fillon e lexon Kuranin, në kapitullin e dytë, të Sures Bekare do të gjejë ajetet e para sfiduese. “ E në qoftë se dyshoni në atë që Ne ia shpallëm gradualisht robit tonë, atëherë silleni ju një kaptinë të ngjashme si ai (Kur’ani) dhe thirrni dëshmitarët tuaj pos Allahut nëse jeni të sinqertë. E nëse nuk e keni bërë , e as që do ta bëni kurrë, atëherë ruajuni zjarrit…” (El Bekare,23-24) Zoti sfidon gjjthë njerëzimin me fjalën e Tij. Ajetet sfiduese janë konsideruar nga shumica e dijetarëve si një nga mrekullitë e Kuranit. -Në suren el Kasas ajeti 49 thuhet: “…atëherë sillni një libër prej Allahut që është edhe më udhëzues se këta dy (Teurati dhe Kur’ani) e t’i përmbahem dhe unë atij” -Në suren El-Israë ajeti 88 thotë: “Thuaj: Edhe sikur të bashkoheshin njerzit dhe xhinët për ta sjellë një Kur’an të tillë, ata nuk do të mund ta bënin si ky sado që ta ndihmonin njëri-tjetrin” -Në suren Hudë ajeti 13 thotë: “Apo, pse ata thonë: Ai (Muhamedi) e trilloi atë (Kur’anin).

Thuaj: Formuloni pra dhjetë kaptina si ai ashtu të trilluara dhe thirrni, pos Allahut, po qe se jeni të drejtë, kë të mundeni për ndihmë!” -Në suren Junus, ajetet 37-38 thotë: “Nuk është e logjikshme të mendohet se ky Kur’an është i trilluar prej dikujt pos Allahut, por është vërtetues i asaj që ishte më parë dhe sqarues e komentues i librit. Nuk ka fare dyshim se është nga Zoti i botëve. Përkundër kësaj ata thonë se e trilloi ai. Ti thuaj: Silleni pra një kaptinë të ngjashme me këtë, madje thirreni kë të doni për ndihmë, pos Allahut, po qe se jeni të drejtë në atë që thoni” Zoti i sfidoi të gjjthë si grup apo individë, si të arsimuar, si analfabetë.

E pavarësisht se nuk ka mundësi që fjala e Allahut xh.sh t’u ngjasojë fjalëve të krijesave, sfida mbetet e hapur për këdo që lexon Kuranin Famlartë duke e kthyer atë në një mrekulli hyjnore.

Klivia Kafexhiu

Pin It