Çahet argjinatura e Shkumbinit, banorët e kalojnë natën jashtë

3-2

Vazhdoi edhe në orët e mbrëmjes vërshimi i ujit nga argjinatura e çarë e lumit Shkumbin. Niveli i tij është rritur ndjeshëm, ku në disa vende ka kapërcyer rrugën nacionale Çermë-Divjakë duke kaluar në tokat dhe banesat në krahun tjetër të rrugës. Edhe pse u përpoqën në disa mënyra për ta bllokuar çarjen e argjinaturës, kjo nuk u arrit.

Qindra banorë, të cilëve iu janë izoluar shtëpitë nga uji, po përpiqen me të gjitha mundësitë që të shpëtojnë bagëtitë. Ata shprehen se situata po rëndohet dhe do ta kalojnë natën jashtë për të ruajtur banesat e tyre.

“Uji nuk kemi se çfarë t’i bëjmë. Bagëtitë i kemi i kemi nxjerrë nga kasollet dhe do të qëndrojmë gjithë natën zgjuar për t’i ruajtur. Problem mbetet edhe ushqimi, pasi me atë që ne kemi arritur të shpëtojmë nga uji, mund të shtyjmë vetëm një ditë ose e shumta dy. Niveli i ujit sa vjen e rritet. Natën do ta kalojmë jashtë”, thotë një prej banorëve.

Por ka dhe nga ata banorë, të cilët nuk kanë mundur të sigurojnë një vend për bagëtitë e tyre.

Pin It