Ç’do të thotë të agjërosh?

agjerimm

Vëzhgimet biologjike kanë treguar se kur bie borë, kafshët e egra nuk gjejnë dot ushqim. Atëherë ato ose bien në letargji, ose e kalojnë kohën duke “agjëruar”. Kjo situatë i bën ata që në pranverë të vihen në lëvizje e në veprim në mënyrë më të rinuar.

E njëjta situatë është edhe me pemët. Gjatë dimrit pemët mbeten pa gjethe dhe flenë, madje as ujë nuk marrin. Pas një “agjërimi” prej disa muajsh, në pranverë rinohen dhe bëhen më të gjalla se më parë, mbushen me gjethe dhe lule të reja.

Edhe metalet madje kanë nevojë për këtë “agjërim”. Makineritë e motorët, pjesët e tyre të lëvizshme lihen në pushim me intervale të caktuara dhe kjo u jep atyre fuqi të re.

Si të gjitha oranet edhe sistemi i tretjes ka nevojë për pushim. Këtë nevojë e plotëson agjërimi. Mirëpo dobi të tilla mjekësore nuk janë qëllimi i vërtetë i agjërimit!

Neriu është vepra më e mrekullueshme e Allahut. Te ai janë bashkuar kundërshtitë. Trupi me shpirtin, lënda dhe kuptimi janë të ndërthurur me njëri-tjetrin. Lumturia e njeriut varet nga mbajtja në ekuilibër e këtyre dy elementëve të ndryshëm. Meqë ana jonë materiale është më konkrete, pritet për t’u hedhur hije fuqive tona shpirtërore dhe për të dale epror ndaj anës shpirtërore. Po qe se kjo prirje bëhet e vazhdueshme dhe efektive, pjekuria e shpirtit të njeriut pengohet. Prandaj, për të bërë që trupi t’i nënshtrohet shpirtit, fuqia e trupit duhet mbajtur e kufizuar, kurse e shpirtit duhet shtuar.

Mosngrënia e mospirja, pra mosushqyerja, është cilësi e posaçme e engjëjve. Duke përvetësuar një regjim të tillë, njeriu përpiqet t’u ngjajë engjëjve. Më e rëndësishmja është që nëse e bën këtë thjesht për të zbatuar një urdhër të Allahut, i afrohet edhe më shumë Atij. Kështu njeriu arrin të fitojë pëlqimin e Allahut që është qëllimi final i njeriut që beson.

Për realizim e këtij qëllimi që pritet nga agjërimi, ka gjëra për të cilat duhet bërë kujdes. Siç duhet të ruhet stomaku nga ngrënia dhe pirja, edhe gjuha duhet të ruhet nga gënjeshtra, fjalët e këqija dhe të kota. Sytë s’duhet të shohin gjërat e ndaluara, veshët s’duhet të dëgjojnë përfolje, thashetheme dhe gjëra të kota. Personi që nuk arrin t’i bëjë me të vërtetë të gjitha organet pjesëtare në agjërim, edhe pse agjëron formalisht, thelbin e agjërimit s’e ka rrokur dot. Këtë të vërtetë e thekson thënia e Profetit as. “Ka shumë vetë që mbajnë agjërim, tek të cilët nga agjërimi nuk mbetet pas veçse uri dhe etje.”

Në një hadith të shenjtë, Allahu i Lartë thotë: “Agjërimi është drejtpërdrejt për mua, shpërblimin e tij do ta jap unë.” Prandaj personi i agjëruar duhet të shmanget nga sjelljet që do ta cënonin sinqeritetin. Njerëzit e zemrës thonë se indiferentizmi ndaj përmendjes së vazhdueshme të Allahut ose, e shprehur ndryshe, ndaj kalimit të kohës së agjërimit me lutje e adhurim, e dëmton adhurimin. Gjithashtu sipas tyre, kuptimi i fjalëve “agjërimi është vetëm për mua” të hadithit të shenjtë si më sipër, është “përkushtimi është vetëm për mua”. Allahu sikur kërkon të thotë: “Atë që pajiset me moralin tim, unë e shpërblej në një mënyrë që të mos e imagjinojë dot asnjë njeri!”

Poeti dhe mistiku i madh Mevlana Xhelaleddin Rumi mendon kështu: “Agjërimi vlen që përkundër mbylljes së gojës, të hapet syri i zemrës. Hapja e syrit të zemrës është e mundur duke i paralizuar fuqitë trupore. Ata që e kanë të verbër syrin e zemrës asnjë adhurim nuk i ndriçon dot!”

Sipas Mevlanas, agjërimi është më i madhi i adhurimeve, është mjeti që i ngjit njerëzit në miraxh, është e fshehta e Kuranit, është lufta që bëjnë njerëzit në vetvete. Agjërimi u fal njerëzve gjallëri të re, i bën më të pjekur ata në qënien e tyre si njerëz. Agjërimi i çon nga qenia në mosqenie.

/Drita Islame/

Pin It