Zgjedhjet në Maqedoni, partitë shqiptare humbin terren

voto

VMRO-DPMNE fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni me një diferencë të ngushtë votash dhe numër të njëjtë mandatesh me LSDM. Ndërsa partitë shqiptare pësuan humbje, duke fituar gjithsej 20 mandate.

Nga numërimi i votave rezulton se VMRO-DPMNE dhe koalicioni “Për një Maqedoni më të mirë” ka marrë 444 014 vota, LSDM dhe koalicioni 428 683, BDI 85 774, Lëvizja Besa 57 749, Aleanca për shqiptarët 35 103 dhe PDSH 30 971 vota.

Kështu dy partitë e mëdha deklarojnë se kanë marrë nga 51 mandate secila, me një diferencë të lehtë votash në favor të partisë së Gruevskit.

“Ne fituam përsëri. Këtë mbrëmje, sot, më 11 dhjetor, VMRO-ja arriti fitoren e dhjetë radhazi, 10-0”, shprehu kënaqësinë në selinë e partisë Vlatko Grojcev, një zyrtar i partisë së Nikolla Gruevskit, lideri i fortë i vendit, në pushtet që prej vitit 2006.

Nuk dihet nëse ky rezultat do të ndihmojë në vendosjen e stabilitetit në vend pas krizës disa mujore që çoi në zgjedhje të parakohshme.

Në zgjedhjet e së dielës morën pjesë 11 subjekte politike, gjashtë parti politike dhe pesë koalicione me 58 lista dhe me 1 092 kandidatë. Këto zgjedhje shihen si mjaft të rëndësishme nga komuniteti ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës politike në vendin e vogël ballkanik dhe për të ardhmen e tij.

Në votime mori pjesë edhe diaspora, e cila votoi të shtunën, ashtu si personat e sëmurë dhe të pamundurit, të burgosurit dhe personat në paraburgim.

 

 

 

Pin It