Çështja çame, Komisioni Europian i përgjigjet Greqisë: Keni premtuar dialog

be

Komisioni Europian i është përgjigjur reagimit të ashpër të Greqisë për çështejn çame duke këshilluar dialogun mes shteteve. Zëdhënësja Maja Koçijançiç tha se në fillim të vitit dy vendet deklaruan, se do të thellonin dialogun mes tyre dhe do të diskutonin çështjet e mbartura.

“Dhe në këtë kontekst, Komisioneri rekomandoi veçanërisht propozimin e palës greke për të caktuar një platformë e cila mund të lejojë më shumë dialog konstruktiv, lidhur me të gjitha çështjet që duhet të qartësohen mes dy shteteve. Po në këtë konktekst, Komisionieri inkurajoi të dy vendet që të vijojnë bashkëpunimin. Ne jemi të informuar mbi qëndrimet e dy vendeve për të thelluar dialogun dhe duke i inkurajuar ata që të shmangin keqkuptimet e mundshme mbi çështjet më të rëndësishme”, tha Koçijançiç duke iu përgjigjur pyetjeve të medias greke.

Në reagimin e saj një ditë më parë, Athina zyrtare kundërshtoi ashpër idenë e ekzistencës së një çështjeje çame mes dy vendeve, duke e cilësuar deklaratën e Johanes Hahn si jashtë kompetencave.

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, e cilësoi të gënjeshtërt dhe të papranueshme deklaratën e komisionerit europian Hahn, duke e quajtur inekzistente çështjen çame.

“Siç dihet, çështja çame është inekzistente dhe si e tillë kurrë nuk është pranuar si objekt negocimi midis qeverive të Greqisë dhe Shqipërisë. Komisioneri Hahn, me përgjigjen e tij të gënjeshtërt, tregon se nuk ushtron rolin dhe detyrat e tij në bazë të parimit të asnjanësisë, në mënyrë që të avancohet interesi i përbashkët i unionit, siç parashikohet në nenin 17 të Konventës së Lisbonës. Që tani i është kërkuar dhe është i detyruar në bazë të rolit të tij institucional të japë shpjegime të menjëhershme, bindëse përsa i përket përmbajtjes së papranueshme dhe të gënjeshtërt, të përgjigjes së tij të kontestuar”.

Përplasja BE-Greqi nisi pak ditë më parë, pasi Komisioneri Johanes Hahn deklaroi se mes Shqipërisë dhe Greqisë ka ende çështje të hapura, duke përmendur si një prej tyre dhe Çështjen Çame.

Pin It