Destinacion: Banjat termale të Bënjës

 

phoca_thumb_l_Sorgenti termali di Benje 1

Banjat termale të Bënjës janë një destinacion gjithëvjetor për ata që  shfrytëzojnë ujrat burimor me ngarkesë të lartë squfuri dhe tepër kurativ.

Këto ujra, kurojnë disa sëmundje  dhe janë mjaft të vizitueshme sidomos në periudhën e verës por edhe gjatë stinëve të ftohta.

Duke parë fluksin në rritje të  vizitorëve dhe mundësinë për ti kthyer në burime fitimi ekonomik për komunitetin, bashkia e Përmetit, po investon në këtë zonë turistike të ujrave termale.

Pjesa më e madhe e vizitorëve janë njerëz të thjeshtë nga Përmeti, Këlcyra, Tepelena dhe Gjirokastra, por gjen mes tyre edhe të ardhur nga Tirana dhe qytete të tjera. Një pjesë e frekuentuesve qëndrojnë në ngrehina të improvizuara, çadra, autokabina dhe ngrehina të tjera më të thjeshta, të ndërtuara me mjete rrethanore, trungje drurësh, kashtë e thupra.
Për shkak të ngrehinave provizore, vendi ngjan me një kamping.

Burimet termale të Bënjës janë një fenomen vërtetë i rrallë natyror. Të gjitha burimet kryesore me ujëra termominerale sulfurore ndodhen shumë afër me njëri-tjetrin, në një gjatësi që nuk shkon më shumë se një kilometër dhe të gjitha këto rrethana krijojnë kushte për investime me interes. Ujërat termominerale të Bënjës janë të studiuara nga pikëpamja analitiko-shkencore dhe përmbajtja e tyre kimike. Studiuesit i vlerësojnë ato si burime sulfate, me përmbajtje të lartë sode bikarbonate. Sipas tyre këto burime janë të veçanta, jo vetëm se janë ujëra të nxehta, por ato kanë në përmbajtje substanca minerale të tretura, që u japin atyre ngjyrë, shije dhe veti terapeutike.

 

 

 

 

Pin It