Destinacion turistik, Qyteti i trëndafilave dhe sazeve

permetti

Qyteti i Përmetit, i mikpritjes, i luleve, i këngëve popullore lirike me saze, qyteti i verës, glikove unikale, hapi dyert në fundjavën e shkuar për turoperatorët turistikë në vend për t’i njohur ata me bukuritë që ofron, historinë dhe traditën përmetare. “Permeti ofron gjithçka përveç detit”, është slogani i vendosur në një tabelë në hyrje të qytetit. Përmeti dallohet për parqet e lulëzuara, ku në çdo stinë janë të pranishme lulet e llojeve të ndryshme e veçanërisht trëndafilat, të clët i kanë dhënë emrin, “Qyteti i luleve dhe trëndafilave”. Për të gjiha këto veçanti që e karakterizojnë mund të quhet pa frikë “Perla e Jugut”.

E njohur që në antikitet me emrin “Trifilia”, një pjesë e “Rajonit Melotid”, emri i Përmetit e ka prejardhjen nga një hero i quajtur Premt, nga i cili historia ka arritur deri tek ne, gjeneratë mbas gjenerate. Thuhet që ky hero për mos të rënë në duar të armikut, vendosi të hidhej nga “Guri i Qytetit”, një gur i madh që ndodhet afër qendrës së qytetit.
Rrethi i Përmetit me rreth 39.000 banorë është i pozicionuar në juglindje të Shqipërisë, me një siperfaqe prej 929 km². Qyteti i Përmetit përshkohet nga lumi Vjosa nga i cili merr emrin dhe lugina. Lumi Vjosa përshkon 58 km të rrethit dhe renditet i dyti në Shqipëri për rezervat hidrike që përmban; krijon një luginë shumë të bukur e cila ka kontribuar në Shqipëri duke filluar nga Çarshova dhe duke mbaruar në rrethin e Tepelenës. Malet më të rëndësishme janë: Nëmërçka 2485 metra, Dhëmbeli 2080 metra dhe Trebeshina 1922 metra.
Rrethi ndërtohet nga tre njësi fiziko – gjeografike, zinxhiri malor Qarisht – Dangëlli – Postenan; Lugina e lumit Vjosa dhe zinxhiri malor Trebeshinë – Dhëmbel – Nemërckë. Në antikitet lugina e Përmetit banohej nga fisi Iliria e Parauejve. Shumë emra te kulturës, artit dhe shkencës shqiptare e kanë origjinën nga kjo tokë. Ndër këta mund të përmenden vëllezërit Frashëri, skulptorët Paskali e Paço, këngëtarët Xhemali e Koço, shkencëtari Nikolla Çasko, historianët Pollo e Frashëri, linguisti Kostallari, shkrimtarët Bulka e Malëshova si dhe klarinetisti Laver Bariu, fitues i shumë çmimeve nacionale dhe internacionale. Rrethi i Përmetit shtrihet ne gjirin e luginës dhe rrethohet nga male me një florë dhe faunë të veçantë të zonës.

permeti

Nuk mungojnë parqet me një interes të madh natyror si, Bredhi i Hotovës dhe burime termale me ujë sulfurik në luginën e Langaricës, të cilat formojnë pishina natyrale dhe të përdorshme. Gjithashtu, janë të shumta monumentet me ineteres të madh historik, ndër të cilat numërohen shumë kisha, manastire të periudhës bizantine, rrënoja arkeologjike të mbetura nga pushtimi turk (kështjella, ura etj). Itenerareve religjioze kristiane, ju bashkangjiten dhe ato myslimane dhe në veçanti lëvizjet Bektashiane që gjenden në fshatrat Frashër e Ali Postivan, zonat më të zhvilluara dhe të pelegrinazhit. Edhe muzika popullore e folkloriste meriton të citohet, pasi është e njohur në të gjithë Shqipërinë. Një tjetër aspekt që e bën të famshme këtë luginë janë dhe produktet tipike agro – ushqimore. Produktet agro – ushqimore tipike dhe me një kualitet të lartë të zonës janë rrushi, në veçanti lloji i veçantë dhe autokton, Debinë e bardhë si dhe Merlot i zi, vishnje, kajsi, fiq, bimë aromatike dhe medicinale. Produkte të cilat kanë një kualitet të admirueshëm janë dhe produktet e mishit; mishi i qengjit, mishi i dhisë etj.
Vera dhe rakia e Përmetit gjithmone janë klasifikuar në më të mirat e Shqipërisë. Me famë janë dhe djathrat, mishi, rigoni, mjalti dhe glikotë ( ëmbëlsirë karakteristike me bazë frutash të freskëta). Gjatë vitit, në Përmet zhvillohen aktivitete të ndryshme si “Festivali Internacional Multikulturor, “Festa e verës”, gara me rafting, kanotazh dhe rally.Duke folur për arkitekturën popullore nuk mund të rrimë pa përmendur disa elemente karakteristike të këtij vendi. Bëhet fjalë për shtrirjen e disa rrugëve, të realizuar në gure gëlqerorë dhe gurë lumi. Në cdo shtrirje rrugore ekzistonte një linjë qëndrore për kalimin e ujit, që pothuajse cdo ditë, hapej nga mullijntë për të garantuar pastrimin e rrugëve, portave dhe kopshteve. Ndërtimet e shekullit te XIX nuk i kalonin dy katet dhe kishin një sallë të madhe për festa dhe martesa. Disa nga këto banime janë të pranishme në fshatrat si Novoselë, Shqeri, Cerje dhe Dangëlli.

shpella-e-pellumbasit
Një nga resurset natyrore me siguri nga më të çmueshmet, janë burimet termale të Bënjës, fshat i ndodhur rreth 8 km nga Përmeti. Korniza e këtij vëndi të bukur është Ura Otomane e Katiut mbi përroin e Langaricës, i cili para se të derdhet ne lumin Vjosa, ndërton me kilometra një Kanion të vizitueshëm gjatë sezonit veror. Burimet e ujërave termale janë natyrore jo të mbledhura dhe kanalizuara, por në 6 vaska të vogla që formojnë liqene natyrale me një bukuri të vyer. Çdo vaskë, me temperatura që variojnë nga 25°C – 28°C, është e përdorshme për trajtimin e një problemi specifik në bazë të cilësive kurative të burimit që rrjedh: reaumatizëm, sëmundje dermatologjike, akne, ostoporozë, gastrit etj. Në një nga vaskat është e mundur të mbledhësh edhe argjil apo baltë adapte për trajtimet e lëkurës. Në këtë vend mund të gjesh vizitorë nga e gjithë Shqipëria si dhe të huaj të cilët qëndrojnë për pak orë apo për pak ditë. Duke vazhduar më tej urës së Katiut dhe vaskave termale ke mundësinë te hysh në brendësi të Kanionit formuar nga perroi i Langarices duke arritur deri ne fund ku ndodhet Ura e Dashit (nje vend i befasueshëm me mure shkëmbor prej 30 metrash dhe gjatësi maksimale prej 15 metrash); thuhet që në shpellat e këtij vëndi jetonin murgjit asketik. Gjithashtu mund të vizitohet “Shpella e Pëllumbit”, vendbanim parahistorik.

Burimi: ata.gov.al

Pin It