Dilema prindërore: “A është fëmija aq i sëmurë sa të mos shkojë në shkollë?”

Pjesa më e vështirë për prindërit rreth vendimit “fëmija im është shumë i sëmurë për të shkuar në shkollë” është ajo e nxitimit rutinë të mëngjesit.

“Është e vështirë të marresh një vendim në mëngjes”, thotë Dr. Timothy Shope, një profesor i asociuar i pediatrisë në librin “Menaxhimi i Sëmundjeve Infektive për Kujdesin e Fëmijëve dhe Shkollat – Një guidë e shpejtë referimi” të Akademisë Amerikane të Pediatrëve.

“Ndonjëherë prindër me qëllime shumë të mira kanë vetëm pak kohë para se të vendosin të nisin ditën, të dërgojnë fëmijët në shkollë,” thotë ai. Dhe ata prindër mund të ndiejnë edhe presionin e punës së tyre.

Një spital fëmijësh në Miçigan zhvilloi një anketë me prindër për të mësuar se si e marrin ata këtë vendim. Shqetësimi se sëmundja mund të përkeqëesohet nëse fëmija shkon në shkollë ishte shumë i rëndësishëm për 60% të prindërve, ndjekur nga shqetësimi se shokët e klasës mund të preken nga sëmundja (47%). Kjo ishte veçanërisht e hasur tek prindërit me fëmijë të vegjël 6-9 vjeç. Ndërsa prindërit e fëmijëve më të mëdhenj shqetësoheshin më shumë për mbetjen e fëmijës prapa me mësimet ose humbjen e ndonjë provimi.

Prindërit gjithashtu shqetësohen se mund të humbasin një ditë pune dhe se mund të mos gjejnë një person për t’u kujdesur për fëmijën e sëmurë në shtëpi. Por sipas anketës shqetësimi për shëndetin e fëmijës dhe fëmijëve të tjerë është më i madh se ai për punën e gjërat e tjera.

Në lidhje me simptomat prindërit thanë se do i mbanin fëmijët në shtëpi për diarre (80%), ose të vjella (58% qoftë edhe vetëm për një herë) ose për temperaturë të lehtë (49%).

Por këto shqetësime nuk duhet t’ju pengojnë të vlerësoni gjendjen e vërtetë të fëmijës suaj.

“Mendoj se ka më shumë prindër tepër mbrojtës se sa prindër që i dërgojnë lehtësisht në shkollë fëmijët e sëmurë”, thotë Dr. Shope. “Shqetësimi i parë si pediatër është që prindërit të marrin një vendim bazuar në faktin nëse fëmija do të mund të marrë pjesë në mënyrë efektive në mësim”.

Kjo sigurisht përjashton një fëmijë me të vjella ose një fëmijë që ndihet keq dhe me temperaturë. Përveç përhapjes së infeksionit, e keqja është që shumë sëmundje infektive zakonisht janë ngjitëse përpara se të shfaqen vetë simptomat madje dhe vijojnë të transmetohen edhe pasi fëmija ka filluar të shërohet. Ndërsa disa fëmijë vijojnë të shpërndajnë viruset tek të tjerët edhe pa qenë vetë sëmurë.

Fëmijët duhet të vaksinohen kundra gripit çdo vjeshtë, kjo mund të shmangë masivisht gripin dhe mungesat në shkollë. Por ekzistojnë shumë viruse që mund të transmetohen edhe nga fëmijët jo të sëmurë, kështu që duhet të parandalojmë përhapjen përmes përmirësimit të higjienës dhe kontrollit të rregullt mjekësor në shkolla.

Ka disa zakone të thjeshta që mund të shmangin përhapjen e infeksionit si psh tështitja ose kollitja nën bërryl ose në mëngë, larja e duarve dhe dezinfektimi i tyre etj.

“Inkurajoni familjet të kuptojnë rëndësinë e larjes së duarve për shëndetin e fëmijëve të tyre dhe fëmijëve që kanë kontakt me ta”, thotë Dr. Freed. Një këshillë që jepet për këto raste është t’i mësojmë fëmijët të lajnë duart me shkumë sapuni mjaftueshëm gjatë sa për të kënduar dy herë këngën “Shumë urime për ty”.

Higjiena e duarve është shumë e rëndësishme për sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes, të cilat ka më shumë gjasa të transmetohen përmes hundës ose gojës, tek duart dhe objektet e tjera, tek fletoret e lapsat. Por është gjithashtu e rëndësishme të shmangen problemet me stomakun, një fëmijë me diarre që ka një higjienë të mirë të duarve është më pak problematik për përhapjen e virusit tek të tjerët.

Një gjë tjetër e rëndësishme, edhe pse e vështirë për t’u pranuar nga prindërit, është që infeksionet i ndihmojnë fëmijët të përmirësojnë sistemin e tyre imunitar dhe ulin probabilitetin për t’u sëmurur në të ardhmen.

Është e rëndësishme gjithashtu që prindërit të kuptojnë, se edhe kur i dërgojnë fëmijët e sëmurë në shkollë, por më pas marrin një telefonatë nga infermieria e shkollës, nuk kanë bërë ndonjë gabim të tmerrshëm, prandaj të mos e ndjejnë veten si prindërit më të këqij në botë.

“Si pediatër e njoh ndjenjën që keni kur mësoni se fëmija që ju menduat se po përmirësohej është përkeqësuar, por si prind ju keni marrë vendimin më të mirë. Ju nuk jeni mjek, kështu që mos u shqetësoni”, thotë Dr. Freed.

/New York Times/

Pin It