“Dita zë fill”, filmi i Gentian Koçit në kinematë e Tiranës më 14 shtator

Filmi “Dita zë fill”, me skenar dhe regji të Gentian Koçit, fitues i Zemrës së Sarajevës për Aktoren më të Mirë, vjen edhe për publikun shqiptar, duke filluar nga data 14 shtator në Cineplexx Albania.

Dita zë fill (Daybreak) është një dramë intime, e cila ndodh në një apartament në Tiranë. Në fakt, është një histori që mund të ndodhë kudo. Marrëdhëniet njerëzore si dhe kompleksiteti i thellë i tyre më kanë tërhequr gjithnjë. Historia mbështetet në dy personazhe femërore, Leta dhe Sofia. Leta është një nënë e re në një situatë tejet të vështirë financiare. Për shkak të kësaj situate, ajo nuk ka mundur të paguajë qiranë që prej disa muajsh.

Kur Leta dhe djali i saj njëvjeçar nxirren jashtë prej apartamentit të tyre me qira, ata shpërngulen në shtëpinë e Sofisë, një gruaje të moshuar e të ngulur në shtrat prej sëmundjes, vajza e të cilës ka punësuar Letën si kujdestaren e nënës së saj. Me qëllim që të ruajë vendin e punës dhe strehën e saj të re, Leta duhet ta mbajë Sofinë në jetë me çdo kusht. Boshti i historisë është marrëdhënia e brishtë mes gruas së re dhe të moshuar, një marrëdhënie që luhatet mes empatisë reciproke dhe qëllimeve pragmatike.

“Dita zë fill” është film i xhiruar në interior dhe me pak personazhe ku interpretojnë aktorët: Ornela Kapetani, Suzana Prifti, Kasem Hoxha. Ky film është prodhuar nga ARTALB FILM (Shqipëri) në bashkëprodhim me GRAAL FILMS (Greqi). Pasi u zhvillua në tri markete bashkëprodhimi (Cinelink, Connecting Cottbus dhe Euro-Mediterranean Co-Production Market) , ky prodhim shqiptaro-grek ka gjetur mbështetjen financiare të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë- Shqipëri, Qendrës Greke të Filmit, Eurimages , Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë, TVSH-së, Bashkisë së Tiranës si dhe rrjetit të zhvillimit të kinemasë ballkanike SEE CINEMA NETËORK. “Dita zë fill” shitet dhe shpërndahet ndërkombëtarisht nga kompania e mirënjohur franceze, WIDE./ATA/

.

Pin It