Dobia e kovës së shpuar…

Një herë e një kohë, ishte një zotëri dhe kishte në shtëpinë e tij një shërbëtor i cili mbushte çdo ditë ujë në lum. Shërbëtori vendoste mbi supe një shkop në anët e të cilit varte dy kova, shkonte për t’i mbushur me ujë në lum dhe i sillte në shtëpi. Njëra nga kovat ishte e vjetër dhe e shpuar në disa vende. Kështu, edhe pse në lum mbushej plot, në shtëpi sillte të mbushur me ujë vetëm gjysmën e saj. Ndërsa kova tjetër ishte një kovë e re dhe e fortë. E transportonte ujin pa derdhur asnjë pikë ujë.

Kjo situatë vazhdoi për dy vite me radhë. Shërbëtori, bartësi i ujit, mbushte në lum dy kova, por kur shkonte në shtëpinë e të zotit mbetej vetëm një kovë e gjysëm me ujë. Kova e re ishte shumë e lumtur ngaqë e bënte tamam punën e saj dhe mburrej tek kova tjetër. E shkreta kova e vjetër e shpuar, ndjehej e turpëruar dhe mërzitej shumë që nuk e bënte si duhet detyrën e saj. Duke mos e duruar dot më faktin që për dy vjet me radhë kishte bërë vetëm gjysmën e punës, një ditë buzë lumit i thotë bartësit të ujit:

-Hej bartës i ujit! Unë ndjehem shumë e turpëruar nga vetja dhe dua të të kërkoj falje!

Shërbëtori i çuditur e pyet: -Pse ke turp dhe po më kërkon falje?

-Sepse për dy vite me radhë, për shkak të të shpuarave që kam në anë, kam mundur të transportoj për në shtëpinë e zotërisë vetëm gjysmën e ujit që më ke mbushur dhe pjesën tjetër e kam derdhur rrugës. Dhe jam bërë shkak që për fajin tim të mos e marrësh të plotë shpërblimin tënd.

Bartësit të ujit iu dhimbs shumë kova dhe i thotë me një zë shumë të butë:

-Kur të kthehemi për në shtëpinë e zotërisë, të këshilloj të shohësh me kujdes lulet përgjatë rrugës.

Dhe vërtet, kur po ngjiteshin për në kodër, kova pa plot lule shumëngjyrëshe që mbulonin gjithë rrugën për në shtëpi dhe kjo e mbushi paksa me lumturi. Por kur mbërriti në shtëpi, u brengos kur vuri re që rrugës sërish kishte derdhur gjysmën e ujit. Kështu me gjysmë zëri i kërkon edhe një herë falje shërbëtorit. Bartësi i ujit ia kthen:

-A nuk e vure re që vetëm në anën tënde të rrugës kishte lule, e në anën tjetër të rrugës nuk kishte asnjë bimë? A e di pse? Sepse unë e kam ditur që në fillim që ti kishe disa të shpuara dhe vendosa që të përfitoj prej tyre, prandaj përgjatë gjithë rrugës nga ana jote, mbolla fara lulesh, të cilat i ujisje ti çdo ditë që ktheheshim për në shtëpi. Për dy vjet me radhë, falë teje kam mundur të zbukuroj tryezën e zotërisë tim me ato lule erëmira dhe shumëngjyrëshe. Falë teje, zyra e zotërisë ka qënë çdo ditë e zbukuruar.

Shpeshherë i shohim gjërat me syrin sipërfaqësor duke shprehur mërzitje dhe duke u brengosur për gjërat që na ndodhin dhe harrojmë që pas çdo gjëje fshihet një urtësi e madhe, për të cilën as nuk na shkon mendja. Prandaj është e udhës që gjërat t’i shohim me syrin e zemrës dhe sidoqofshin situatat, të jemi të vetëdijshëm që pas çdo gjëje fshihet diçka shumë e bukur, fshihen urtësi dhe mirësi të Krijuesit.

Pin It