Drejtësia, ILDKP heton çdo pasuri të fituar pas 1992

drejtesia

Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive do të hetojë pasuritë e gjyqtarëve dhe prokurorëve duke filluar që nga viti 1992. ILDKP do të verifikojë dokumentacionin e njerëzve të drejtësisë në lidhje me të gjithë pasuritë e grumbulluara pas rrëzimit të sistemit komunist.

Të gjithë të punësuarit në sistemin e drejtësisë kanë afat deri në 8 nëntor për të deklaruar plotësisht pasurinë e tyre pranë ILDKP. Më pas ky institucion do të bëjë vlerësimin, i cili pritet të zgjasë deri në 180 ditë. Kontrolli do të bëhet në bashkëpunim me vëzhguesit ndërkombëtarë.

Raporti i ILDKP do të jetë argumenti bazë i institucioneve të Vetingut, të cilat do të vendosin për largimin ose jo të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga sistemi i drejtësisë, bazuar në ligjshmërinë e pasurisë së tyre.

Subjektet e drejtësisë duhet të faktojnë me dokumente çdo blerje, shitje ose transaksion financiar të kryer gjatë periudhës së pluralizmit në Shqipëri, në mënyrë që të provojnë ligjshmërinë e pasurisë së tyre.

Ligji i Vetingut parashikon që subjekti i rivlerësimit duhet të vërtetojë humbjen e dokumenteve në rast mungese, si dhe të paraqesë dokumente të tjerea justifikuese, të cilat do të vlerësohen nga institucionet e vlerësimit.

Sipas Kushtetutës ILDKP është institucioni kryesor përgjegjës për të spastruar drejtësinë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. Nga të dhënat e deritanishme rezulton se gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve kanë probleme me ligjshmërinë e pasurisë.

Kushtet ligjore për t’u konfirmuar në detyrë, pezulluar ose shkarkuar 

1. Konfirmimi në detyrë

a) Kur arrin nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë;
b) Kur arrin nivel të besueshëm në kontrollin e figurës;
c) Kur arrin një nivel minimal kualifikues në vlerësimin e aftësive profesionale.

2. Pezullimi nga detyra 

1. Pezullimi nga detyra dhe detyrimi për të ndjekur programin e trajnimit për një periudhe 1-vjeçare i jepet subjektit të rivlerësimit nëse janë evidentuar mangësi në aftësitë e tij
profesionale që mund të plotësohen.

2. Në rast se subjekti i rivlerësimit përfundon programin e trajnimit, Shkolla e Magjistraturës i paraqet Sekretarit të Përgjithshëm të Komisionit dhe vëzhguesve ndërkombëtarë rezultatet e provimit përfundimtar, duke u shprehur nëse mangësitë janë mënjanuar ose jo.

3. Komisioni njofton subjektin e rivlerësimit brenda 10 ditëve të paraqesë një shpjegim me shkrim mbi arsyet e mospërfundimit me rezultate të kënaqshme të programit të trajnimit gjatë periudhës së pezullimit. Një kopje e këtij njoftimi i dërgohet vëzhguesit ndërkombëtar.

3. Shkarkimi nga detyra

1. Kur rezulton se ka deklaruar më shumë se dyfishi i pasurisë së ligjshme gjatë vlerësimit të pasurisë, përfshirë edhe personat e lidhur me të.

2. Kur rezulton me probleme serioze gjatë kontrollit të figurës, sepse ka kontakte të papërshtatshme me personat e përfshirë në krimin e organizuar që bën të pamundur vazhdimin e detyrës.

3. Kur rezulton se ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të figurës dhe pasurisë, sipas parashikimeve të neneve 39 dhe 33 të këtij ligji.

4. Kur rezulton si i papërshtatshëm nga vlerësimi i aftësive profesionale.

5. Në rast se nga vlerësimi tërësor, në kuptim të nenit 4, pika 2, të këtij ligji, rezulton se subjekti i rivlerësimit ka cenuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë dhe ndodhet në kushtet e pamundësisë për plotësimin e mangësive nëpërmjet programit të trajnimit.

Pin It