“Dremit liqeri”/ Lasgush Poradeci

Vështroni si shket sipër valash

E tundet anija me nge? –

…Me krisme-e me prush prej stërkalash
Mi të shkrepëtiu një rrufe!…

Ti det, brohori fshehtësire!
Kuptim i potershëm, ti det!
…Po heshtje: ndaj vales së nxirë
Gjeniu i anijes po flet:

Prej zallit që sot po largohem,
Fillova mërgimin e ri;
Hepohem…anohem…humbohem…
Po sulmin s`e ndal kurrsesi.

Dh`aspak nuk me tremb zhurmëria,
Ndaj turret me hov e vërtik
Mi ballë-e mi korje të mia
Ndërsimi-i tallazit armik.

Përpara kur shoh gjeratore,
Dh`ato më gremisin në fund-
Mi kulmin e valës malore
Un` heq të shpëtoj sa me mund.

E morti fatkeq në me ciku,
N`u desh tmerrësisht të fundas-
Aspak nuk më thyen rreziku,
Po nis e përmbysem me gas:

Se prapa lë vazhden e ndritur-
Q`e hapa me shpirtin fatos:
Fistonin gazmor ku pat shkitur
Valim-i anijes q`u sos.

Valim-i anijes së lete
Qetohet,ndalohet,mbaron
Njeriu i anijes përjetë
Hepohet…anohet…valon…

Pin It