Gjithë “pasuria” e Lasgush Poradecit i kalon Arkivit Shtetëror

Rreth njëzet mijë fletë, dorëshkrime të poetit Lasgush Poradeci bëhen pasuri kombëtare. Trashëgimtaret e tij ia dhurojnë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. Më në fund studiuesit do të kenë në dorë veprën origjinale ashtu siç e ka shkruar liriku i madh

Ardit Bido, Drejtor i Arkivit u shpreh se bëhet 19 mijë 308 fletë dorëshkrime të Lasgush Poradecit, 8562 fletëshkrimi, 3662 fletë gazeta, 26 revista, 1606 fotografi dhe kartolina, 315 ftesa dhe telegrame, 296 partitura, 14 harta, 8 kartëmonedha, 11 dekorata, 7 certifikata, 12 pulla postare.

Kaq janë gjithë çfarë kanë ruajtur Maria dhe Kostandina nga babai Llazar. Në kuadër të 30-vjetorit të vdekjes së Lasgush Poradecit, ato kanë ndërmarrë disa nisma për ta përkujtuar. Ky është hapi i parë për t’ia dhënë poetin trashëgimisë kombëtare. Madje ka qenë një dëshirë e hershme e Poradecit vetë që dorëshkrimet e tij të ruhen në arkiv.

Maria Gusho u shpreh  “Që në datë 23 tetor të vitit 1939, Lasgushi i shkruan Mitrushit kur ai ndodhej në Bukuresht: I dashur Dhimitraq-i thotë-dorëshkrimet e mia mos u nxito t’i japësh në Akademi aty në Rumani. Kujdestarja e tyre të jetë Mëma Shqipëri, këtë dëshirë kam. Në Rumani mund t’i lesh me kusht të përkohshëm, vetëm në rast urgjence dhe rreziku. Zoti mos e dhënë ashtu.

Dorëshkrimet janë në gjendje të mirë. Nga këto 20 mijë njësi kanë mbetur jashtë dy ditarë dhe një dosje dokumentesh nga periudha 10-vjeçare e studimeve në Grac, të cilat do të dorëzohen pasi familja t’i botojë brenda këtij viti, duke e çuar në 8 vëllime botimin e veprës së plotë.

Kumbaro u shrpeh: Tashmë ajo është e gjithë në dorë të publikut, studiuesve dhe shkrimtarëve dhe unë nuk njoh shkrimtar shqiptar që të mos jetë frymëzuar nga poezia e tij. Zot të gjen ndonjë të dashuruar të mos e ketë përmendur diku në vragat e dashurisë një varf të Lasgushit.

Megjithatë fakt është që në Arkivin Qendror Shtetëror, deri më dje, fondi me zërin “Lasgush Poradeci” ka pasur thuajse asgjë.

 

Pin It