Elsa Lila sjell koncertin që ndërthur muzikën e Moxartit dhe poezinë e Poradecit

Elsa-Lila

Elsa Lila rikthehet për publikun artdashës përmes një koncerti në të cilin ndërthuren muzika e Moxartit dhe poezia e Lasgush Poradecit. Këngëtarja shqiptare interpretoi përpara publikut në Romë pjesë nga kompozimet e Moxartit, ndërsa për tekst kishte përzgjedhur poezitë e Poradecit.

Koncerti i emërtuar “Da Bah ai Balcani” ishte një bashkëpunim i Lilës me formacionin klasik “Orchestra Notturna Clandestina”. Ky projekt e solli këngëtaren pas shumë vitesh mungesë në një stil tjetër, ku ndërthurej kreativiteti, muzika klasike dhe shpirti poetik.

Ndërthurja e poezisë së Lasgush Poradecit “Dremit liqeri” me koncertin e 23-të të Moxartit ishte një gjetje origjinale e pazakontë që rezultoi e suksesshme.

Duke folur për rikthimin e saj dhe për bashkëpunimin në këtë rast Elsa Lila tha se Orkestra quhet clandestine për arsye të lirisë artistike dhe pavarësisë së saj nga politika.

“Orkestra është “klandestine” pikërisht sepse qëndron jashtë çdo forme të burokracisë kulturore që mbizotëron sot në Itali, nuk aplikon në shtet për të pasur mbështetje financiare apo “kontribute” politike, por është një organizëm shumë më i gjallë e aktiv se të tjerët, të ashtuquajtur “institucionalë” apo “të ligjshëm”, që shpesh u ngjajnë elefantëve në fund të jetës që tërhiqen në shkretëtirë”, tha Lila.

Pin It