Në Korçë po mbahet edicioni i 13-të i Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës “Albamono”, i cili do të vazhdojë deri në 1 qershor. Në festival marrin pjesë trupa teatrore nga Shqipëria, Franca, Serbia, Maqedonia, Polonia dhe Rusia.
Prej 13 vjetësh festivali i shërben zhvillimit artistic dhe komunikimit kulturor midis shteteve pjesëmarrës.
Festivali do të shëtisë edhe në Voskopojë, Dardhë e Maliq, siç edhe është kthyer tashmë në traditë. Presidenti i festivalit, Dhimitër Orgocka, tha se qëllimi i kësaj lëvizjeje është promovimi i vlerave turistike dhe trashëgimisë sonë kulturore.
Festivali u çel nga monodrama “Të gjithë janë të çmendur” e regjisorit Naum Shëndi. Ndërsa mbrëmjen e fundit do të organizohet edhe ceremonia e vlerësimeve me çmime të ndryshme nga një juri e përzgjedhur.