”Shtëpia e Flamurit”, vlerë kulturore që i rikthehet Korçës

I rikthehet Korçës Shtëpia e Flamurit, objekti Monument Kulture, i cili u shkatërrua në mënyrë barbare në vitin 2012.

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, Kryetari i Bashkisë, Sotiraq Filo dhe ish/zv kryeministri Niko Peleshi inspektuan përfundimin e punimeve për ringritjen e saj.

Pasi panë nga afër investimin, ata kanë dhënë mesazhe të forta për ruajtjen e objekteve me vlera të veçanta të trashëgimisë kulturore.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “Ndërtimi i Shtëpisë së Flamurit është një premtim i mbajtur i Ministrisë së Kulturës, duke shprehur kështu vullnetin dhe angazhimin e kësaj qeverie dhe kujdesin e treguar ndaj objekteve me vlerë historike si kjo ‘Shtëpi’.

Ne do të vazhdojmë të ndërtojmë, rijetëzojmë, të kthejmë vëmendjen ndaj objekteve të trashëgimisë, që janë lënë në harresë prej disa dekadash.

Rindërtimi i ndërtesës, ku patrioti Themistokli Gërmenji 100 vite më parë ngriti flamurin shqiptar u realizua falë projektit të Institutit të Monumenteve, me fondet e Ministrisë së Kulturës në bashkëpunim me Bashkinë e Korçës.

Projekti për Shtëpinë e Flamurit do të vazhdojë në fazën e dytë muzeale, ku do të ekspozohen dokumente dhe objekte të rëndësishme që lidhen me këtë ndërtesë, ku në vitin 1916 patrioti, Themistokli Gërmenji ngriti flamurin dhe shpalli Korçën Krahinë Autonome./ATA/

Pin It