“The Economist”: Si u bë Ermonela Jaho sopranoja më e vlerësuar në botë

CismEWkUYAEAhqO

“Engjëlli i Zjarrtë”  është titulli i shkrimit që “The Economist”  i ka kushtuar sopranos shqiptare Ermonela Jaho. Në artikull shpjegohet rrugëtimi i sopranos dhe mënyra se si ajo u bë më e mira në botë.

“Aty ku diktatorët e shtypin lirinë, arti që mbijeton më shpesh është muzika. Kështu që nuk është surprizë që sopranoja që më herët gjatë muajit mori çmimin vjetor si këngëtarja më e vlerësuar nga lexuesit e Opera Magazine, bibla e këtij sektori, ka lindur edhe është rritur në Shqipërinë e Enver Hoxhës,” nis shkrimi i “The Economist”.

Më tej gazeta britanike ka shkruar për fëmijërinë e sopranos, vështirësitë dhe bukuritë e vendit të saj, si dhe atmosferën e izolimit ku ajo u rrit: me vetëm një kanal televiziv dhe një humorist të vetëm të huaj që lejohej të transmetohej nga shteti, me fëmijë të cilëve iu vihej emri Adriatik si deti që iu desh të kalonin për një jetë më të mirë; me mijëra bunkerë që qëndrojnë mbi tokë; por edhe me një formë të rrallë polifonie që këndohej nëpër dasmat e fshatrave që nga lashtësia.

“Kur unë këndoj, nxjerr çdo gjë që kam parë dhe dëgjuar në jetën time”, është shprehur Jaho për “The Economist”.

Nga intervista e saj mësojmë se Jaho ka dashur të bëhet këngëtare që në moshën 14-vjeçare, por ambicia e saj ka qenë muzika pop deri në momentin që ndoqi “La Traviata”.

“Në atë moment pashë një horizont të ri, një derë e madhe u hap dhe unë doja të shkoja drejt saj”, shprehet Jaho. Deri më tani ajo e ka kënduar “La Traviata” 232 herë.

Pin It