Përmet, Kumbaro: Fshati Bënjë, pikë e rëndësishme turistike

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro e ka cilësuar qytetin e Përmetit si një pikë e rëndësishme turistike.

Sipas saj, ky qytet është një konstelacion destinacionesh që ndodhen në hartën e zonës dhe që duhet të jenë edhe hartë dhe ofertë turistike.

Kumbaro është shprehur se qyteti i Përmetit nuk njihet veç për trëndafilat e glikotë. Ajo është ndalur veçanërisht në fshatin Bënjë, që  në janar të këtij viti u shpall qendër historike dhe u përfshi në programin e zhvillimit që Qeveria shqiptare ka me Bankën Botërore.

“Bënja është fshati që e shpallëm Qendër historike në janar të vitit 2017 dhe që është përfshirë në programin e zhvillimit që Qeveria shqiptare ka me Bankën Botërore. Filluam restaurimin e Kishës së Shën Mërisë ku ka shumë histori, që nga legjenda e ikonës së Shën Mërisë, deri te spitali partizan e bënjotët të vrarë nga nazistët, por edhe pelegrinazhi i datës 21 nëntor kur Bënja është qendra e përmetarëve”, është shprehur Kumbaro.

Më tej, ajo ka vënë në dukje se “Bënja e mrekullueshme ka qëndruar falë banorëve të saj, që janë udhërrëfyesit më të mrekullueshëm që kam njohur: Usta Jorgo duar artë dhe gojëmbël dhe mësues Sotiri që ka kuptuar shumë mirë turizmin familjar. Usta Jorgo ka mbajtur kishën në këmbë dhe i dhëmb çdo gur që rrezohet në Bënjë”.

Kisha e Shën Mërisë në Bënjë të Përmetit i është nënshtruar tashmë restaurimit të plotë të saj, që është parashikuar të kryhet në dy faza. Kisha është ndërtuar mes viteve 1789 dhe 1891 është objekt me vlera të veçanta, shpallur monument kulture në vitin 1970.  Me një planimetri drejtkëndore dhe tre nefe, nga ana perëndimore është vendosur narteksi dhe nga ana lindore absida. Hyrjet nga perendimi dhe jugu  mbulohen me portik të mbështetur mbi kolona.  Në vitin 1967 u mbyll nga regjimi komunist dhe u rihap në korrik 1991.

Pin It