E përditshmja gjermane “Welt” promovon Shqipërinë turistike

Pas mediave franceze, italiane, e deri te ato irlandeze, këtë radhë është e përditshmja gjermane ‘Welt’ që propozon Shqipërinë si vend turistik.

“Vendi dikur komunist i hapi dyert turizmit vetëm 20 vjet më parë. Ka qytete të vjetra, vende të lashta, një peizazh malor emocionues, njerëz miqësorë – dhe ka ende hapësira për të mirëpritur turistët”, shkruhet në artikullin e publikuar nga gazeta kombëtare gjermane.

Gazeta në rubrikën e saj “Udhëtim nëpër një pjesë të panjohur të Evropës”, thekson faktin se megjithëse numri i turistëve është rritur gjatë viteve të fundit, ka akoma plazhe bosh në Shqipëri.

Bregdeti, shkruan Welt, midis Vlorës dhe Himarës ka ndërtime të shumta, po ka ende disa xhepa bosh për ata që duan natyrën.

Në artikull renditen Shkodra, Gjirokastra, Berati, e Përmeti, si qytete që ofrojnë shumë për turistët.

Qyteti i Shkodrës gjendet vetëm pak kilometra nga kufiri me Malin e Zi dhe prandaj gjithnjë e më shumë vizitohet nga turistët.

Gazeta gjermane rendit edhe Butrintin ndër vendet që duhen vizituar, rrënojat romake të së cilit janë tashmë pjesë e trashëgimisë botërore të UNESKO-s.

Pas Butrintit, Welt paraqet edhe një foto me turistë në Apolloni. Për turistët kulturorë e përditshmja gjermane prezanton Manastirin e Ardenicës.

Turistët kulturorë mund të vizitojnë kambanoren e lartë 24 m të Bazilikës së Shën Marisë në manastirin e Ardenicës, i cili shtrihet në rajonin qendror shqiptar të Myzeqesë . Në këtë manastir shkruan Welt, në vitin 1451, Princi shqiptar Skënderbeu (Gjergj Kastrioti, 1405-1468) u martua me nusen e tij, Donika Arianiti.

Më tej, në jug të vendit, i njohur edhe për edhe relievin malor, turistët mund të shikojnë kanionet e Vjosës, në rajonin e Përmetit.

“Gjirokastra, një tjetër qytet në jug të vendit çdo pesë vjet zhvillon Festivali Kombëtar Folklorik pjesëmarrjen e grupeve muzikore nga të gjitha zonat e banuara nga shqiptarët.
Por nuk duhet humbur as Berati, qyteti i një mijë dritareve, renditur tashmë si një qytet muze”, shkruan Welt./ATA/

Pin It