Drita e buzëqeshjes së Tij (a.s)!

Islami është projektuar nga Krijuesi për të qenë mënyra perfekte e të jetuarit për njerëzimin, prandaj, shpeshherë, veprime të vogla mund të kenë ndikim të madh. Buzëqeshja është një nga këto veprime.

Profeti a.s buzëqeshte shpesh dhe me lumturi të sinqertë. Faktikisht, ai buzëqeshte aq shpesh sa kjo sjellje e tij shfaqet herë pas here në historitë mbi jetën e tij. Abdullah ibn Harith thotë: “Nuk kam njohur kurrë ndonjë person që buzëqesh aq shumë sa Profeti (a.s).Profeti Muhamedi e konsideronte buzëqeshjen ndaj dikujt si bamirësi.” [Tirmidhiu]

Xhabir ibn Abdullah tregon: “I Dërguari i Allahut nuk i refuzonte kurrë kërkesat e mia për ta takuar qëkurse përqafova Islamin, dhe sa herë që më shikonte, fytyra e tij ishte e buzëqeshur.” [Muslimi]

Kur njëri nga sahabët u pyet nëse ulej të bisedonte me Profetin a.s, ai u përgjigj: “Po, shumë shpesh! Ai (a.s) ulej në një vend të caktuar ku kryente lutjen e mëngjesit deri në çastin që lindte dielli. Shokët e tij flisnin mbi çështje të ndryshme rreth kohës së injorancës, dhe qeshnin me sjelljet e tyre të asokohshme, ndërsa Profeti a.s vetëm buzëqeshte.” [Muslimi]

Një nga sahabet tregon mbi marrëdhënien e tij me Profetin a.s kur ai ishte djalë i ri. Enesi thotë: “Profeti i Allahut ishte njeriu me karakterin më të mirë. Një ditë më dërgoi të bëja diçka, ndërsa unë i thashë: Betohem në Zot që nuk do të shkoj. Megjithatë, thellë në zemër e ndjeja që duhet të shkoja të bëja atë që më kishte kërkuar i Dërguari i Allahut. Sidoqoftë, kur dola jashtë, pashë disa shokë që po luanin në rrugë dhe shkova tek ata. Krejt papritur, i Dërguari i Allahut me erdhi nga mbrapa dhe më vuri dorën në qafë. Unë u ktheva dhe e pashë që po qeshte.” [Ebu Daudi]

Profeti a.s kishte natyrë të butë dhe bujare. Bashkëshortja e tij, Aishja (r.anha), e krahasonte karakterin e tij me Kur’anin, që do të thotë se ai jetonte sipas mësimeve të Kur’anit. Prandaj, sjellja dhe personaliteti i Muhamedit a.s janë shembujt më të mirë që mund të ndjekim në jetët tona. Një nga shokët e Profetit a.s, që kaloi më shumë se 10 vjet duke u shoqëruar me të, thotë: “Gjatë shoqërimit tim me të, nuk dëgjova kurrë një fjalë të pahijshme nga goja e tij, dhe as të sillej vrazhdë me ndokënd. Ai fliste më mirësjellje të jashtëzakonshme dhe ishte bujar më gjithkënd.” Sjellja e natyrshme e Profetit a.s e shtynte atë të buzëqeshte bashkërisht me njerëzit që e rrethonin.

Burimi: profetimuhamed.info

Pin It