I Virtytshmi, Ebu Ejub el-Ensari

Ebu Ejub el-Ensarin është një nga shokët më të virtytshëm dhe më të nderuar të profetit Muhamed (a.s). Ai jetoi një jetë gati 100-vjeçare në shërbim të Islamit dhe Profetit (a.s). Ai ishte i pajisur me shumë dhunti, por një nga dhuratat më të mëdha që iu dha Ebu Ejub el-Ensarit ishte gjatë hixhretit, shpërnguljes së Profetit (a.s) nga Meka në Medine.

Kur profeti (a.s) hyri në Medine, Ensari e tërhiqte devenë e Profetit (a.s) nga vetja, pasi të gjithë po garonin për të pasur si mik në shtëpitë e tyre njeriun e dalluar, Profetin (a.s). Sidoqoftë Profeti (a.s) tha: “Lëre devenë time, pasi atë e drejton Allahu.”

Ajo ndaloi në shtëpinë e bekuar të Ebu Ejub el-Ensarit. Profeti a.s hyri në shtëpi dhe Ebu Ejubi donte ta nderonte Profetin a.s, ndaj i tha: “Ju lutem, qëndroni në katin e dytë, ndërsa unë bashkë me time shoqe po qëndrojmë në katin e parë.” Profeti a.s i tha: “Mua më vizitojnë shumë njerëz, ndaj më lejoni të qëndroj në katin e parë, kurse ju qëndroni në katin e sipërm.”

Nga insistimi i Profetit (a.s) Ebu Ejubi r.a e pranoi propozimin e tij që ai të qëndronte në katin përdhe. Por tërë natën ai dhe bashkëshortja e tij mbetën pagjumë nga shqetësimi se i Dërguari i Allahut (a.s) po flinte poshtë tyre. Pandehnin se kjo ishte mungesë respekti ndaj Profetit (a.s). Shqetësimin e tyre ua shtoi edhe një gjë tjetër, u rrëzua një enë që ishte mbushur me ujë. Ebu Ejubi nxitimthi e mbuloi vendin me mbulesën e tij që ta thithte ujin, me qëllim që të mos pikonte në katin e poshtëm. Të nesërmen në mëngjes ata ia treguan shqetësimin e tyre Profetit (a.s), derisa ai pranoi të qëndronte në katin e dytë.

Familja e Ebu Ejubit r.a përgatiste ushqim çdo ditë dhe ia çonte Profetit (a.s). Nga pjesa që mbetej prej ushqimit të tij, hanin të gjithë pjesëtarët e familjes. Pas pak ditësh, edhe ensarë të tjerë kërkuan pjesën e tyre të mikpritjes. Për sa kohë shtëpia e Profetit (a.s) nuk ishte ende gati, myslimanët e Medinës me radhë i çonin ushqim në shtëpinë e Ebu Ejubit r.a.

Kur Ibn Abasi, valiu i Irakut e takoi Ebu Ejubin i tha atij: “Nëse vjen në shtëpinë time, unë do të ta liroj të gjithë shtëpinë, ashtu siç ia lirove ti shtëpinë tënde Profetit (a.s).”

Pin It