Drita e udhëzimit

“Juve ju erdhi prej Allahut dritë (i Dërguari) dhe Libër i qartë (Kurani).” [Surja Maide, 15-16]

Drita në këtë ajet është Profeti ynë Muhamedi alejhi salatu ue selam, me të cilin Allahu ndriçoi të vërtetën, shfaqi me të Islamin dhe shkatërroi me të idhujtarinë. Ai është dritë për çdo njeri i cili dëshiron të ndriçohet nëpërmjet tij.

Allahu i Madhëruar thotë:“O Profet! Ne të kemi dërguar ty si dëshmitar, sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues; njëkohësisht (të kemi çuar) si thirrës, që i fton njerëzit në rrugën e Allahut me urdhrin e Tij dhe si pishtar ndriçues.” [Surja Ahzab, 45-46]

Prej ndriçimit që solli Profeti ynë është dhe zbardhja e shumë prej pjesëve të Teuratit të cilat hebrenjtë i fshihnin. Ndërsa libri i qartë në ajet është Kurani i cili ka sqaruar dhe shpjeguar shumë nga gjërat për të cilat njerëzit janë kundërshtuar me njëri-tjetrin, qoftë kjo në lidhje me teuhidin e Allahut, të lejuarat dhe të ndaluarat e Tij apo dispozitat të cilat Ai i ka ligjëruar. Këtë libër Allahu ia zbriti Muhamedit (s.a.s) për t’u sqaruar njerëzve atë për të cilën kanë nevojë nga çështjet e fesë dhe t’ua shpjegojë atë derisa të arrijnë të kuptojnë të vërtetën nga e gabuara.

“Juve ju erdhi prej Allahut dritë (i Dërguari) dhe Libër i qartë (Kurani), me të cilin Allahu i drejton ata që ndjekin pëlqimin e Tij, në rrugën e shpëtimit, i nxjerr nga errësira në dritë me lejen dhe vullnetin e Vet dhe i shpie në rrugën e drejtë.” [Surja Maide, 15-16]

Pin It