Një ‘Mirëmëngjes dhe Mirupafshim”, të shpëtojnë jetën!

Në një supermarket perveç qindra punonjësve të tjerë punonte dhe një grua si ekonomiste dhe një burrë si roje tek porta. Burri  ndihej i nënvlerësuar sepse ai ishte thjesht roja i supermarketit.

Punonjësit hynin e dilnin në mëngjes dhe pasdite dhe askush nuk e vinte re praninë e tij. Ai për ta ishte thjesht një roje, përveç një gruaje, ekonomistja, e cila nuk harronte kurrë ti thoshte ‘mirëmëngjes’ kur vinte në punë dhe ‘mirupafshim’ kur largohej. Ajo e bënte këtë gjë çdo ditë, pa harruar asnjë herë.

Një ditë gruaja vjen në mëngjes dhe e përshëndet rojen si zakonisht duke i thënë ‘mirëmëngjes’. Kaloi orari i punës dhe punonjësit po iknin një nga një. Ikën te gjithë dhe ngeli supermarketi bosh. Roja nuk pa më gruan e cila e përshëndeste gjithmonë, ajo i tha mirëmëngjes kur erdhi, por nuk e pa ti thotë mirupafshim kur iku. U mërzit se ishte e vetmja që e përshëndeste.

Po mendohej e po mendohej dhe tha me vete: “Ajo kurrë nuk ikën pa më përshëndetur mua, diçka duhet t’i ketë ndodhur…”, dhe filloi të kërkojë për të nëpër supermarket. Në asnjë vend nuk ishte, zbriti poshtë tek dhoma frigoriferike ku ruhej mishi në një temperaturë -30 gradë celsius. Dhoma frigoriferike hapet nga jashtë dhe mbyllet automatikisht dhe nuk  hapet nga brenda pa kaluar kartën elektronike. Roja futet aty dhe gjen gruan aty.  Ajo kishte hyrë për të parë gjendjen e mishit në frigorifer, por kishte harruar të marrë kartën me vete.

Nëse roja nuk do të kishte hyrë në atë dhomë, gruaja do të kishte vdekur nga hipotermia. Gruaja falenderon rojen dhe i thotë, “Më shpëtove jetën!” Ai duke buzëqeshur ia kthen, “Nuk ta shpëtova unë jetën! Nuk do kisha ardhur për asnjë arsye të kërkoj e të kontrolloj këtu në frigorifer. Nuk është detyra ime, unë kurrë nuk futem në këtë dhomë. Por ti asnjë herë nuk ikën pa më thënë mirupafshim dhe mendova patjetër të ka ndodhur diçka. Ty nuk të shpëtova unë, ty të shpëtoi një ‘Mirëmëngjes dhe një Mirupafshim!”

Pin It