Dumreja dhe Liqenet e Belshit, një bukuri turistike që duhen zgjuar

ZK1A8204

Belshi mund të vizitohet edhe tani në dimër e të argëtohesh.

Ndodhen fare pranë Elbasanit,Tiranës, Gramshit dhe Kuçovës, me një bukuri të rrallë dhe një histori tepër intriguese.

Në përgjithësi është një zonë me një peizazh natyror që të bënë për vete në të katër stinët por më interesante është pranvera dhe vjeshta, ku bimësia pikas me ngjyrat e saja të theksuara.

Gjithë krahina numëron rreth 84 liqene,midis tyre ka dhe të vegjël fare, por të gjithë janë të bukur dhe kanë karakteristikat e tyre.

Kanë një florë befasuese sidomos në pranverë. Disa numërohen me emra për bukurinë e tyre si, ai i Seferanit, Merhojes, Cestijes, Degës, me një florë të pasur si, zambaku i bardhë, zambaku i verdhë, karakteristikë për ujrat e këtyre liqeneve që tërheqin vëmendjen e vizitorit.

Fauna e liqeneve është e pasur me peshq të llojeve të ndryshme, por së fundmi,me vendosjen e moratoriumit të gjuetisë,janë shtuar dhe shpendët ujor që dimërojnë në ujrat e ngrohtë të liqeneve.

Sipërfaqja e tyre e përgjithshme është rreth 640 ha, ndërsa aftësia ujëmbajtëse 26 milion m3 ujë, që përdoret nga fermerët edhe për vaditjen e kultivimeve të tyre gjatë verës.

Janë liqene kryesisht me regjim shiu, që mbushen nga reshjet që bien. Disa nga liqenet më piktoreskë janë ai i Belshit, Merhojes, Seferanit, Liqeni i Kuq, i Paraskës, i Marinzës, etj.

Rreth 26 nga liqenet e zonës së Dumresë shfrytëzohen për peshkim të kontrolluar e të menaxhuar profesionalisht për mos dëmtimin e rasateve dhe faunës nënujore.

Peshku i kapur konsumohet tërësisht nga banorët e zones ose dhe në qytetin e Elbasanit.

Belshi dhe liqenet e tij,kanë edhe një histori të vjetër e të lashtë qytetërimi.

ZK1A8239

Belshi të befason dhe me vlerat historike  dhe arkelogjike të tij. Në qendër të historisë qëndron kalaja e Gradishtit, historia për princin ilir të Belshit, gjurmët dhe ritet e Afërditës ilire të periudhës helenistike të Belshit.

Gradishta është një fshat i zonës dhe e ka historinë e vet që nga periudha  mesme e bronzit.

Është quajtur dhe “Akropoli” i Dumresë, me një lartësi 180 m nga ku Dumreja shihet si në në pëllëmbë të dorës. Gradishta ka vlerë monumentale jo vetëm natyrore, por edhe arkeologjike.

Duke njohur historinë e lashtë të kësaj treve, ka pas një ide të Sami Frashërit që qyteza e Belshit të ishte kryeqytet i Shqipërisë.

Belshi me liqenet e tij të panumërta, me kodrat e buta e të pyllëzuara, me resurset e mëdha natyrore dhe me njerëzit e tij punëtorë mund dhe duhet të bëhet dhe një qendër e vizitueshme turistike.

Por, ndërtimi i infrastrukturës së nevojshme, ndërtimi i Boshtit të Qendrës, Berat-Kuçovë Elbasan, Tiranë, rikonstruksioni i rrugës  Belsh-Lushnjë, mirëmbajtja e tyre në gjëndje të mirë pune, do të bënin që të gjitha rrugët e Shqipërisë së mesme të kryqëzoheshin në Belsh për shkak të pozicionit të tij gjeografik.

Kështu, zona do të kthehej në një atraksion të përhershëm turistik dhe do të merrte dhe një zhvillim ekonomik që sot për sot nuk e gëzon.

Është një zonë bujqësore tepër e zhvilluar le të kthehet dhe në një zonë turistike me përparësi natyrën,mjedisin,kulturën dhe historinë.

Krahas turizmit, e ardhmja e zonës është bujqësia dhe blegtoria, pasi Dumrea ka kushte të përshtatshme klimatiko-tokësore për kultivimin e shumë kulturave bujqësore, veçanërisht të drithrave të bukës,perimeve, rrushit dhe pemëve frutore.

Dumreja ka dhe pasuri të tjera që presin të shfrytëzohen, siç janë rezervat e mermerit të kuq në fshatin Kosovë nga ku janë shfrytëzuar dikur.

Dumreja dhe Belshi janë shumë afër dhe presin të investohen, që të zgjohen nga gjumi shekullor e ti bashkohen bukurisë shqiptare.

ZK1A8266

Burimi: Agjensia Telegrafike Shqiptare

Fotot: Spektrum

Pin It