Edhe Tirana pjesë e Autoriteteve Metropolitane të Europës

veliaj-3

Gjatë vizitës së tij zyrtare në Itali, ku po ndjek edhe punimet e konferencës së Autoriteteve Metropolitane të Europës, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u takua me homologun e Torinos, Piro Fassino, të cilët firmosën një marrëveshje bashkëpunimi dypalëshe mes dy qyteteve.

Nga sot Bashkia e Tiranës është anëtare e Autoriteteve Metropolitane të Europës dhe do të marrë ndihmën e Bashkisë së Torinos për tre fusha të rëndësishme që lidhen me zhvillimin e qytetit.

Marrëveshja e firmosur sot nga kryebashkiakët Veliaj dhe Fassino parashikon një bashkëpunim në tre fusha të rëndësishme, në çështjet ekonomike dhe tregtare, kulturore dhe akademike.

Përmes marrëveshjes, palët zotohen të mbështesin dhe nxisin bashkëpunimin mes sipërmarrjeve të qyteteve respektive në fushën e zhvillimit ekonomik e tregtar.

Gjithashtu, kultura është vlerësuar si një pikë e mirë bashkëpunimi mes Torinos dhe Tiranës, ku palët zotohen të promojnë dhe realizojnë aktivitete që mbështesin bashkëpunimin kulturor midis Qendrës së Kulturës Shqiptare në Torino dhe institucioneve kulturore respektive në të dyja qytetet.

Nga ana tjetër, Veliaj dhe Fassino ranë dakord edhe për një bashkëpunim akademik, si dhe për të promovuar miqësinë në nivel ndërkombëtar, duke stimuluar dhe zhvilluar aktivitete ndërkulturore për studentët që vijnë nga Torino dhe Tirana. Marrëveshja parashikon edhe shkëmbime eksperience mes studentëve apo organizime kushtuar studimeve të universiteteve të dy qyteteve.

Në këtë organizim janë anëtare edhe disa nga qytetet më të mëdha të Europës, si Barcelona, Parisi, Berlini, Milano, Torino, Oslo etj.

Pin It