Moti i rënduar deri më 4 dhjetor

Sipas Shërbimeve Meteorologjike dhe Institutit të Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, moti i keq që ka përfshirë territorin e vendit tonë pritet të përkeqësohet edhe më tej gjatë ditëve në vazhdim.

Deri më 4 dhjetor, reshjet e shiut do të variojnë nga ato me intensitet mesatar tek ato me intensitet të lartë, këto të fundit në 24 orë do ti kalojnë 100 mm, dhe priten të sjellin përmbytje urbane në varësi edhe të kanalizimeve në qytetet kryesore të vendit, si: Tirana, Durrësi, Shkodra, Lezha, Korça, Vlora, Fieri, Gjirokastra etj.

Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile njofton të gjithë institucionet drejtuese qendrore rajonale dhe vendore për marrjen e masave të nevojshme për sigurimin e kushteve normale të jetesës në komunitet.

Sipas saj, vënia në dispozicion e të gjitha kapaciteteve njerëzore të njësive përkatëse është jetike për situatën aktuale në vend, gjithashtu monitorimi i të gjitha akseve rrugore kryesore përbën një pikë mjaft të rëndësishme në planin e masave të parandalimit.

Më tej, Emergjencat Civile bëjnë thirrje për qytetarët të reduktojnë sa më shumë lëvizjet në vende me rrezikshmëri të dukshme, të njoftojnë sa më parë policinë e shtetit apo numrat e telefonit të vënë në dispozicion të situatës së përkeqësuar si dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me njësitë në terren.

Pin It