Fëmija, individ i shoqërisë

Gjithçka në këtë botë është e përkohshme. Bashkë me kohën e të tjerat edhe ne lëvizim, ecim. Por, a e kemi të qartë se për ku dhe si është më e mira për ne ta kryejmë këtë ecje?!
Një fëmijë ka shumë dëshira e ëndrra dhe mendon se sapo të rritet gjithçka do të ndryshojë. Që do të ndryshojë s’ka dyshim, por ndryshimi nuk vjen gjithmonë në përputhje me pritjen tonë, ose me gadishmërinë që kemi ne për ta përballuar këtë ndryshim. Një fëmijë, në të ardhmen e afërt një individ aktiv i shoqërisë, i mëson fjalët e para e i hedh hapat e parë, pikërisht në familje. Pavarësisht nga dhuntitë personale, apo nga formimi edukativ-kulturor që do të marrë më vonë në shkollë, apo në shoqëri, një rol jo të papërfillshëm për nga rëndësia luan pa dyshim familja në të cilën ai rritet.
Çdo familje ka probleme, ato janë të paevitueshme, por ajo që duhet të mbizotërojë tek të rriturit e kësaj familjeje është fryma e mirëkuptimit, tolerancës dhe vullneti për të bërë më të mirën.
Jeta ka një kufi dhe për sa na është lejuar ta jetojmë le të përpiqemi thjesht të japim më të mirën e mundshme. Jeta i ngjan një bime e cila nga një farë kthehet në një embrion, më pas në bimëz të njomë, që ka kaq shumë nevojë për përkudesje, në mënyrë të tillë që erërat e tundimit të mos e shtrembërojnë trupin e saj, që më pas të kthehet në bimë të fortë e të rritur, që çel lulet e saj, për të dhënë më në fund të shumëdëshiruarat fruta.
Por a mund të ketë fruta të ëmbla një bimë e egër? Jo! Ashtu ndodh dhe me një fëmijë të cilit i ka munguar dashuria dhe ëmbëlsia, pa nënvlerësuar gjithë elementet e tjerë të mirësjelljes, që ndikojnë në formimin e karakterit të tij.
Fëmijët janë e ardhmja e së nesërmes dhe në qoftë se duam një të nesërme më të mirë, më të qetë, më të lumtur, le të kujdesemi për fëmijët e të sotmes. Le t’ju mësojmë atyre se njeriu di dhe duhet të falë, se ai di dhe duhet të kuptojë, se ai di dhe duhet të komunikojë njerëzishëm, duke i dhënë kështu më tepër nder emrit që mban.
Le t’ju mësojmë atyre se kemi arsye dhe zemër me të cilat arsyetojmë dhe ndiejmë, ecim përpara edhe kur dhimbja për momentin na mundon. T’ju mësojmë se jeta është e bukur dhe ta falënderojmë Krijuesin tonë që na lejoi ta jetojmë. Duke hequr nga zemra jonë çdo thërrime të së keqes le t’i rrisim fëmijët tanë thjesht natyrshëm, duke mos guxuar të kalojmë jashtë kufijve të njerëzores dhe jo për çdo gjë të fajësojmë kohën dhe vetëm kohën për ato probleme që hasim në jetë, duke hequr çdo përgjegjësi nga vetja.
Duke qenë se prindërit vetë nuk janë shembulli i gjallë i së drejtës, nuk ka se si të injektojnë te fëmijët diçka që nuk e dinë, apo nuk e kanë në zotërim. Kjo pasuri duhet të merrej gradualisht përgjatë tërë viteve të jetuara para prindërore. Thotë mjaft qartë dhe bukur profeti i fundit Muhamedi (a.s.) në një hadith se: “Edukimi i fëmijës fillon njëzet vjet para lindjes së tij.” Prandaj, pa një prind të përgjegjshëm, nuk mund të pretendojmë të kemi një fëmijë të edukuar.
Nga vetë natyra, fëmija është i lidhur pas nënës, sepse ajo i qëndron më pranë se kushdo atij. Nëna është shembulli i parë i edukatës, tolerancës, faljes, dashurisë, drejtësisë, ose e të anasjelltës së padëshiruar; urrejtes, mërisë, edukatës së mangët e syfaqësisë. Profeti i nderuar në një nga thëniet e tij thotë: “Kush edukon një nënë ka edukuar një komb.” Duhet të mundohemi ta kuptojmë dhe si rezultat ta pranojmë se:
Jeta përbëhet nga momente,
momente që vijnë e shkojnë.
Mundohu ta zhbirosh të sotmen,
që të nesërmen sytë të mos lotojnë.
Duke besuar, punuar sipas urdhrave te drejtuara nga i Gjithëpushtetshmi, kemi pa dyshim të drejtë të shpresojmë për një të nesërme shumë herë edhe më të mirë se e sotmja!
Pin It