Bllokimi i shpeshtë i akseve nacionale prej ditësh ka reflektuar pengesa në zonën kufitare mes Shqipërisë dhe Greqisë nga rebelimi i fermerëve grekë ndaj ndryshimeve në sistemin e taksave dhe pensioneve.
Vetëm në 24 orët e fundit, në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës, puna është ndërprerë më tepër se pesë herë në intervale kohore që variojnë nga 30 minuta deri në dy orë, çfarë ka shkaktuar jo pak vonesa për udhëtarët. S
ipas informacioneve nga autoritetet tona kufitare, sinjalizimet për ndërprerjen e punës u janë komunikuar jo në kohën e duhur, veprim që bën që edhe qytetarët të gjenden të papërgatitur e të detyrohen të presin për hapjen e kufirit ose të kthehen pas. Kjo situatë ka sjellë pasoja edhe për mjetet e tonazhit të rëndë, të cilët eksportojnë dhe importojnë mallra të ndryshme nga vendi fqinj, pasi pritja për orë të tëra në kufi ka efekte negative dhe kosto për tregtarët. Prej një jave, fermerët grekë, në mënyrë të përsëritur, bllokojnë me mjetet e tyre bujqësore rrugët nacionale, duke paralizuar qarkullimin e çdo lloj automjeti, ndërsa nuk dihet se sa do të zgjasë kjo situatë.