Festivali Mbarëkombëtar i Komedisë ”Kokofest”, starton në Korçë me shfaqjen ”8 Femrat”

Edicioni i katërt i KokoFest ka ngritur siparin me shfaqen “8 Femrat” , një komedi e cila ngjiti në skenë 3 breza aktoresh nga artistet ikonë e deri tek ato më të rejat.

“8 femrat” u ngjitën në skenë nga regjisorja Driada Dervishi, duke hapur kështu edhe garën për festivalin e vetëm të këtij lloji.

 Festivali Mbarëkombëtar i Komedisë, u zhvillua në skenën e re të Teatrit të Korçës. Trupat të cilat në këtë edicion do të përfshihen në konkurim përvec interpretimeve do gjallerojnë disa nga ambjentet e qytetit duke krijuar një kornizë më të gjerë artistike më qytetin e Korçës.

Çmimet e festivalit do të jenë shfaqja më e mirë, regjisori më i mirë, aktori më i mirë, aktorja më e mirë, etj. Juria që do të bëjë vlerësimin përbëhet nga emra të njohur të teatrit, Ndriçim Xhepa, Yllka Mujo, Altin Basha, Rafet Abazi dhe Eftjola Laçka janë emrat e jurisë së “KoKoFest”.

Shfaqjet që do të konkurrojnë në festival janë të njohura për publikun, ndërkaq që teatri i Korçës do të konkurrojë me një premierë me regji të Ilir Bokshit, “Një kafkë në Konemara” e autorit Martin McDonagh.

Kjo vepër që është dhe premiera e parë për teatrin e Korçës vjen nën interpretimin e aktorëve Marin Orhanasi,Ylber Bardhi , Zamira Kita dhe Sotiraq Bratko. Shfaqje të tjera që do të konkurrojnë në festival janë nga teatro të Shkodrës, Fierit, Gjilanit, Tiranës, etj. “Kolonel Zogu”, “Pse nuk rri për mëngjes”, “Mjalti i hidhur”, “Parfumeria”, “Eldorado”, “Nënat dhe bijat”, “Gjymtimi”, “Harroje dashurinë”, etj, janë disa nga veprat që do të jenë në skenë. 

Kokofest do te vazhdojë maratonën e tij deri më 21 shtator ku nuk do mungojnë pjesëmarësit dhe trupat nga gjithë vendi por edhe trevat e tjera. /ATA/

Pin It