Filmi me metrazh të shkurtër ”Përjetësisht fëmijë”, pjesë e 7 festivaleve ndërkombëtare

Filmi i metrazhit të shkurtër ‘Përjetësisht Fëmijë’, me skenar e regji të Lorena Sopit, prodhim i AS Film Production dhe Fakultetit të Arteve, është përzgjedhur të jetë pjesë e programeve zyrtare të shtatë festivaleve të ndryshme ndërkombëtare.

Gjatë muajit maj, filmi ‘Përjetësisht Fëmijë’ do të jetë pjesë e festivalit të njohur Pune Short International Film Festival, i cili do të mbahet në Pune të Indisë, pastaj në Los Angeles Cine Fest, i cili mbahet në Los Angeles, për të vazhduar në Texas Short Film Festival, që do të mbahet në San Diego, në Wendy’s Short Film Festival dhe në Roma Short Film Festival që do të mbahet në Romë të Italisë.

Kurse gjatë muajit qershor dhe korrik, filmi ‘Përjetësisht Fëmijë’, do të jetë pjesë e programit zyrtar të festivalit të njohur Sunlight International Film Festival , i cili do të mbahet në Teatrin Olimpik në Moskë të Rusisë, për të vazhduar në festivalin prestigjioz Regina International Film Festival, i cili do të mbahet në Pedreson Crescent të Kanadasë.

Filmi ‘Përjetësisht Fëmijë’ trajton raportin e rrënuar familjar mes babait autoritar dhe fëmisë të mitur.

Moni, një djalë dhjetë vjeçar, jeton me të atin Xhemën në varfëri të madhe. Gjatë një dreke fatale, i ati Xhema vret aksidentalisht djalin e tij, Monin. Gjithë jetën e tij, Xhema do të ndjejë peshën e mallkimit, duke bartur mbi vete fajin për atë që ka ndodhur. Në ditët e tij të fundit, në moshë të shtyrë, Xhema kthehet në shtëpinë ku ka ndodhur vrasja për të kërkuar falje nga djali i tij i vdekur, me shpresë se do të liroj shpirtin nga pesha e fajit dhe do të pushoj i qetë në jetën e përtejme.

Në rolin kryesor paraqitet aktori i njohur Xhevat Qorraj dhe Miran Zymberaj. Në rolet e tjera vijnë Sheqerije Buqaj, Beslidhje Bytyqi, Kosovare Hoti, Joni Thimi, etj.

Ky është filmi i dytë i shkurtër i Lorena Sopit. Vlen të përmendet se filmi i parë i shkurtër ‘Mona’ i regjisores Sopi, ka qenë pjesë e mbi 50 festivaleve ndërkombëtare dhe ka fituar 8 çmime të ndryshme. /ATA/

Pin It