“Flauti Magjik” kthehet në shtëpinë e parë të operas shqiptare

Një vepër e jashtëzakonshme e repertorit botëror, “Flauti Magjik” do të shfaqet me një staf të ri dhe zëra të veçantë në të gjitha rolet e veprës nga, Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit në skenën e Universitetit të Arteve, në datat 15, 16, 17 maj ora 19:00.

Pas 51 vitesh  TKOB rikthehet në shtëpinë e parë të operas shqiptare, dikur godina e parë e Operas, sot Universiteti i Arteve.

Për herë të parë “Flauti Magjik” vendoset në skenën e Universitetit të Arteve pasi nuk është vendosur asnjëherë aty. Të gjitha vëniet dhe rivëniet e tij janë bërë në skenën e TOB. Në korrik të vitit 1966 ka qënë shfaqja e fundit e TOB në skenën e Akademisë së Arteve, sot 51 vite më pas opera rikthehet “në shtëpinë e parë”.

Këtë herë kjo vepër ka përthithur zëra të rinj, talente të reja të skenës operistike shqiptare. Këngëtarët e kastit të “Flautit Magjik”, vënë në skenë në 2016, të cilët ishin emra ndërkombëtare dhe shqiptarë, këtë herë janë zëvendësuar nga talente e reja shqiptare. Kjo në bazë të politikës së TKOB për zbulimin dhe nxitjen e talenteve të reja shqiptare. Mbretëresha e natës, Linda Kazani në fakt është një emër ndërkombëtar, e cila ka një karrierë të suksesshme jo vetëm në Zvicër, por në skenat më prestigjoze botërore.
Në vazhdim të strategjisë të TKOB kjo shfaqje është shembulli më i mirë, që skena jonë të jetë skena e ekselencës të talentit shqiptar, pavarësisht moshës, në karrierë ose jo.

Këtë herë pjesë e kastit të “Flauti Magjik” janë dhe studentë të cilët vazhdojnë studimet në Universitetin e Arteve.
Kostumografia – TKOB ka krijuar krejtësisht nga fillimi kostumograrfinë e “Flautit Magjik”, dizenjuar nga kostumografia Anila Zajmi – Katanolli.

Dy fjalë për veprën:

Për të parën herë është vënë në skenë në Vjenë, 30 Shtator 1791 është një opera e mbushur me mister, e mbështjellë me një pëlhurë përrallore. Të gjitha ngjarjet skenike dhe muzikore që zhvillohen në “Die Zauberflöte” ndjekin një dinamikë shumë të fortë teatrale, por e shkëputur nga nje logjikë dramatike. Zyrtarisht libreti i “Flautit Magjik” është shkruar nga Emanuel Schikaneder, mason i Lozhës në Vjenë, por duhet pranuar me forcë influenca në çdo varg e letrarit të masonit W.A.Mozart. Ai donte që kjo vepër të ishte testamenti i tij shpirtëror. Me këtë opera Mozart krijon një gjuhe muzike të re në forme dhe stil. Forma ishte ajo e Singspielit, pra e një aksioni jo tërësisht muzikor, por që përfshinte pjesë muzikore dhe recitative. Stili ku përzihet tragjikja me komiken, ku elemente fabulistike ndërthuren me karaktere alegorike të një natyre tepër të larmishme. Të shprehura me një ton sa popullor aq dhe të lart, jo të komedisë realiste, por të tregimit fantastik, pa hapsirë në kohë reale.
Interpretojnë:
Orkestra Simfonike e TKOB – Kori i TKOB

Dirigjent : Ricardo Casero
Regjisor: Nikolin Gurakuqi
Mjeshtër i madh
Dirigjent Kori: Dritan Lumshi
Kostumograf: Anila Zajmi – Katanolli
Koncertmaestër: Ingrid Pulizo; Etrita Ibrahimi

Solistë
Papageno:Armando Likaj
Pamina: Enkelejda Kamani
Tamino: Klodjan Kaçani; Elson Braha
Mbretëresha e Natës: Linda Kazani; Erinda Agolli
Sarastro: Bledar Domi
Tre Dama : Dorina Selimaj, Rezarta Qevani; Sonila Baboçi, Shpresa Beka; Ivana Hoxha, Ina Gaqi
Monostatos: Erlind Zeraliu
Papagena : Rezarta Qevani; Dorina Selimaj
Knabe : Elda Koçibelli, Klodiana Bocka, Enkeleida Helshani
Preister: Antonio Zefi
2 Priftërinjtë: Denis Skura; Genc Vozga
2 Të armatosurit: Sidrit Bejleri, Fatbardh Karaj

/ATA/

Pin It