Qendra Kombëtare e Muzeumeve, Muzeu Ikonografik Onufri dhe Muzeu Kombëtar Etnografik në qytetin e Beratit janë vizituar gjatë muajit qershor nga 4504 vizitorë, nga 2906 që ka pasur në të njëjtën periudhë të vitit 2016.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Ministria e Kulturës, duke iu referuar të dhënave të Qendrës Kombëtare të Muzeumeve në Berat, bën të ditur se nga fluksi i vizitorëve janë siguruar 798 800 lekë të ardhura nga shitja e biletave, nga 500 500 lekë të realizuara një vit më parë.
“Ndërsa në periudhën janar- qershor 2017, numri i vizitorëve arriti në 15 884, nga 11 356 që ka qenë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, (4528 vizitorë më shumë) duke realizuar 2 556 200 lekë të ardhura, 704 500 lekë më shumë se një vit më parë.
Qyteti 2400 vjeçar i Beratit është dëshmi e pasurisë dhe e diversitetit të trashëgimisë urbanistike dhe arkitektonike të rajonit të Evropës Juglindore. Qendra e tij urbane reflekton influenca të traditës së banesave popullore ballkanike, që datojnë kryesisht në shekujt e 18 dhe 19 e.s. Kjo traditë është adaptuar për t’iu përshtatur mënyrës së jetesës së qytetit, me shtëpitë e vendosura në shpate me planimetri kryesisht horizontale dhe që përdorin gjerësisht dritën natyrore.
Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë./ATA/