Genti Tavanxhiu merr çmimin e parë për skulpturën 2.8 m në Teheran

Artisti shqiptar, Genti Tavanxhiu, ka marrë çmimin e parë në edicionin e tetë të Simpoziumit Ndërkombëtar të Skulpturës në Teheran për skulpturën e tij 2.8 metra të lartë të titulluar “Fragile”. Artisti i njohur shqiptar e ka realizuar këtë vepër në oborrin e Kullës Milad në kryeqytetin iranian gjatë kohës sa u mbajt simpoziumi. Puna me veprën ka nisur më 21 prilli dhe ka përfunduar më 14 maj. Për këtë çmim të artistit Tavanxhiu, ka shkruar edhe gazeta tehrantimes.com.

Çmimin e dytë e ka marrë artisti Mostafa Mohseni nga Irani ndërsa çmimi i tretë është ndarë mes dy artistëve, Francesca Bernardinin nga Italia dhe Tatsumi Sakai nga Japonia. Dy artistët Ana Maria Negara nga Rumania dhe Umit Turgay Durgun nga Turqia kanëmarrë një certifikatë nderi gjatë ceremonies së çmimeve. Pjesë e konkurrencës në këtë garë të vështirë kanë qenë dymbëdhjetë skulptorë të huaj dhe pesë iranianë. Dhjetë studentë të tjerë që kanë marrë pjesë në seksionin e simpoziumit nuk ishin pjesë e garës. Megjithatë në kategorinë e studentëve janë nderuar me mirënjohje edhe studentët Shima Sadat Musavi, Fatemeh Akbari dhe Melika NikKhah.

Ky event ndërkombëtar organizohet çdo vit nga “Organizata e Zbukurimit të Bashkësisë së Teheranit”. Simpoziumi synon të ndihmojë Teheranin për të zbukuruar qytetin dhe mjedisin urban si dhe të familjarizojë qytetarët me procesin e krijimit të dizajnëve të reja në qytet.

Pin It