Skulptori Arben Bajo sjell punimet e veçanta artistike në FAB

Pas tre vjetësh skulptori i njohur Arben Bajo çeli për publikun ekspozitën personale ”Exhibition” në galerinë FAB.

Me punime që janë të realizuara në bronz dhe në alumin skulptori dhe pedagogu i arteve të bukura Arben Bajo vazhdon kërkimin e tij artistik mbi bukurinë femërore.

Ekspozita e 9-të e skulptorit nuk përmban vetëm veprat, por dhe të gjithë procesin e krijimit të tyrederi tek forma përfundimtare. Këto punime i dedikohen tërësisht nudos e ku krahas bukurisë, skulptura e Arben Bajos thellohet edhe në psikologji.

Në shumëdimensionin e vet, karriera e skulptorit ngrihet në kohë mbi tema të përzgjedhura në formë ciklesh. Dallohen mes tyre portretet, nudot e raftet si memorie figurative, si dhe kafshët në versione të ndryshme.

Stacioni tjetër janë instalacionet, ku sipërfaqet eksperimentale shënohen nga objekte rrethanore në kërkim të ndjesive të reja.

Për Bajon, rikthimi periodik tek disa prej tyre, si portretet a nudot, duket se përbën në esencë, nevojën për të thelluar kërkimin e tij mbi dimensionin ekzistencial të figurës njerëzore.

Edhe në këtë ekspozitë theksohet pikërisht raporti mes trupit dhe sensualitetit, ndërsa ripropozimi shton në galerinë e tij imazhe e karaktere, ku gjuha plastike shënon natyrshëm sipërfaqet e tyre. Vetë skulptori dhe pedagogu i arteve tregon se një ekspozitë në tre vjet nuk është pak.

Skulptura e Bajos e nisi rrugëtimin e vet në fillim-vitet ’90, kohë kur ndryshimet politike i imponoheshin realitetit duke tronditur nga themelet të gjithë shoqërinë shqiptare. Në ekspozitën e tij të nëntë personale, pas rreth tri dekadash karriere tejet dinamike, ky “konflikt” ekzistencial mbi figurën njerëzore duket se përbën ende epiqendrën e kërkimit të autorit.

Si një nga zërat më të rëndësishëm të skulpturës vendase, ai mbetet gjithnjë besnik dhe shijues i formës nga natyra, ndërsa hetimi mbi figurën e njeriut është sintezë e këtij kërkimi. Raporti që ai ka me realitetin, kalon pikërisht prej kësaj marrëdhënieje, ndërsa gjuha e tij synon dimensionin ekzistencial të saj, sa edhe pozicionin me artin pamor bashkëkohor.

Pin It