“Gjëagjëza” e tarifës në Rrugën e Kombit, matje të reja për të diferencuar përdoruesit e shpeshtë

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri me dije se do të ketë matje të reja në rrugën e Kombit për të identifikuar ata që do të njihen si frekuentues të shpeshtë. Deklartatën e bëri zv.ministri Shkreli gjatë një takimi me banorët e Tropojës

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri me dije se do të ketë matje të reja në rrugën e Kombit për të identifikuar ata që do të njihen si frekuentues të shpeshtë. Në kuadër të konsultimeve me komunitetet lokale për kontratën konçesionare të mirëmbajtjes së rrugës Milot-Morinë, zv.ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Artan Shkreli zhvilloi një bashkëbisedim me banorë në qytetin e Tropojës.

Shkreli u njoh nga afër me pretendimet e banorëve për tarifën e kalimit në Rrugën e Kombit dhe propozimet e tyre për të zbutur efektin mbi komunitetin lokal.

“Për sa i përket atyre që nuk përdorin makinat private dhe këtu fus njerëz që janë shumë në nevojë, fus student, njerëz që marrin transportin publik apo të moshuarit, natyrisht kjo do të ketë një trajtim të veçantë dhe preferencial. Gjithashtu, për përdoruesit e shpeshtë do të shohim një formulë që këta njerëz siç foli dhe zotëria që shkon disa herë në muaj në Tiranë apo që shkojnë shumë herë në vit se nuk është e thënë të shkojnë patjetër dy herë në javë, të krijojmë një fashë për këta njerëz dhe mënyrën si identifikohen ata tek pjesa ku paguan. Do të bëjmë dhe disa matje të tjera për të kuptuar se çfarë do të thotë përdorues i shpeshtë i rrugës”, u shpreh Shkreli.

Gjatë vizitës në Tropojë, zv.ministri Shkreli u prit në një takim edhe nga Kryebashkiaku Besnik Dushaj me të cilin diskutoi mbi çështjen e infrastrukturës dhe procesin e negociatave mes qeverisë dhe kompanisë koncesionare referuar mirëmbajtes së Rrugës së Kombit.

“Besoj se do të arrijmë në një formulë të atillë që nga njëra anë tarifa të paguhet por nga ana tjetër, njerëzit pra shtresat apo grupet e ndryshme të cilët nuk e kanë këtë mundësi, të lehtësohen në këtë pagesë. Problemi është që ne, dhe këtë nuk e them për Rrugën e Kombit, duhet të mësohemi se ajo që ndodh në botë ndodh edhe tek ne por ne jemi me një hap vonesë qoftë në të mirat apo edhe efektet anësore që kanë”, nënvizoi Shkreli.

Këto konsultime të drejtuesve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë do të vazhdojnë edhe në bashkitë e tjera të Qarkut të Kukësit.

Shqiptarja

Pin It