Gruaja në civilizimin islam 

Ditën që profeti Muhamed a.s. ia dorëzoi shpirtin e tij Krijuesit, numri i përgjithshëm i myslimanëve ishte diku te 124.000. Studiuesit që janë marrë me jetën e atyre të cilët ishin më pranë Profetit a.s. dhe që kishin kontribut të madh në përhapjen e mirësisë hyjnore, dolën me një numër prej tetë mijë personash të përzgjedhur, ku mbi një mijë prej tyre ishin gra. Kjo na lë të kuptojmë se emancipimi islam i kishte shtyrë gratë drejt suksesit, saqë në çdo tetë burra nga më të përzgjedhurit dhe më me shumë kontribut, më shumë se një ishte grua. Kjo është përqindja më e madhe e grave që është shënuar pas çdo revolucioni, emancipimi dhe rilindje.

Nëse erërat e injorancës paraislame, kanë arritur që ti rikthejnë disa zakone dhe tradita që dominonin botën para Islamit, ato nuk kanë arritur të prevalojnë mbi arritjet e emancipimit islam të gruas. Shpirti i këtij emancipimi dhe frytet e tij vërehen edhe në kohën e regresit të civilizimit islam, regres i cili ka pllakosur botën islame. Edhe në këto kushte të rënda, jeta jonë sociale ofron modele grash të cilat depërtojnë në fusha të ndryshme të jetës, si ajo e shkencës së hadithit, fikhut, letërsisë etj.

Kur historiani Omer Rida Kehale numëroi personalitetet femra të cilat kishin dhënë kontribut të vyer në civilizimin islam, gjeti se numri i tyre, vetëm në rajonin e vendeve arabe, ishte mbi tre mijë, duke ditur se bota arabe përbën vetëm një të pestën e asaj islame.

Është e vërtetë që numri i personaliteteve gra në historinë dhe civilizimin islam duhet të ishte shumë herë më i madh sesa është, krahasuar me numrin e personaliteteve gra gjatë periudhës profetike. Megjithatë, ky numër mbetet një dëshmi e pakontestueshme e modelit që ofron Islami në emancipimin e gruas. Ai është një dekoratë nderi në kraharorin e civilizimit islam me të cilin mburret dhe krenohet para të gjithë civilizimeve të tjera.

Një model i tillë tregoi qëndrueshmëri të fortë përballë vërshimit të zakoneve dhe traditave aspak fetare të cilat prevaluan në periudhën e regresit civilizues, duke qëndruar aktiv në të gjithë historinë islame. Ai ka filluar të rikthehet fuqishëm në kohët moderne.

Shkëputur nga revista: “Zani i Naltë”

Pin It