25 nëntori përkujton lindjen e Gustav Meyer gjuhëtar gjerman, pioner i etimologjisë shqipe. Ai lindi në vitin 1850 në Gros – Stechlitz të Austrisë, studioi filologji; udhëtoi gjerësisht nëpër Ballkan; dha mësim në universitete të ndryshme, Pragë, Leipzig, Graz. Fusha të ekspertizës së tij ishin greqishtja e lashtë the shqipja. Meyer ishte i interesuar edhe për folklorin. Por puna më e rëndësshme është Fjalori Etimologjik i Gjuhës Shqipes (1891). Në këtë fjalor, i pari i këtij lloji, Gustav Meyer analizon prejardhjen e 5140 fjalëve shqipe dhe gjen se vetëm 400 prej tyre lidheshin drejtpërdrejt me indoevropianishten (pesë – penkwe; zjarm – gwhermos; natë – nokwt; dhëndër – gemëter; gjarpër – serpo; bjer – bhere; djeg – dhegwho; kam – kapmi; pata (si në ‘pata thënë’)- pot; pjek – pekwo), fjalët e tjerat ishin të huazuara ose me prejardhje të panjohur. Kjo nismë e tij në fushën e etimologjisë së shqipes frymëzon më pas gjuhëtarin danez Holger Pedersen the austriakun Norbert Jokl.
Ai i ka dhënë një ndihmesë të madhe studimeve të gjuhësisë shqiptare. Qysh më 1883 ka botuar studimin e rëndësishëm me titull „Über die Stellung des Albanesischen im Kreise der indogermanischen Sprachen“, BB VIII (1884) (“Mbi pozitën e gjuhës shqipe në rrethin e gjuhëve indoevropiane”), ku është argumentuar , ndër të tjera, që shqipja bën pjesë në grupin e gjuhëve evropiane veriore dhe ndryshon nga greqishtja dhe nga gjuhët italike në reflektimin e tektaleve qiellzore.
Në studimet e tij ai është marrë me çështje të ndryshme nga fusha e morfologjisë historike, siç është çështja e formimit të shumësit të emrave, rruga e formimit të tyre, me studimin krahasimtar të numërorëve të gjuhës shqipe e të disa gjuhëve të tjera indoevropiane, me çështje të shumta fonetikës e të gramatikës historike e në mënyrë të veçantë me çështje të etimologjisë.
Ai ka nxjerrë shpeshherë konstatime të sakta shkencore siç është çështja e prejardhjes së gjuhës shqipe që, sipas tij, rrjedh nga ilirishtja dhe përbën një degë më vete në familjen e gjuhëve indoevropiane. Por ai shpeshherë ka evoluar me pikëpamje të veta shkencore. Merita e tij është se ai i ka korrigjuar dhe avansuar tezat e veta shkencore. Kështu p. sh., në veprat e tij të para, ka pranuar një ndikim jo të vogël të latinishtes mbi strukturën morfologjike të gjuhës shqipe, por më vonë në disa raste ai e ka ndryshuar mendimin dhe ndoshta do të ketë bërë edhe më shumë ndreqje në qëndrimet e veta, sikur vdekja e parakohshme të mos e kishte rrëmbyer në kulmin e pjkurisë së tij. Në vitin 1899, Meyer preket nga një sëmundje në tru, shtrohet në një spital në Graz të Austrisë, ku vdes 1 vit më vonë, në moshën 50-vjeçare.